“Rusia po godet në perëndim të Ukrainës, po aktivizojmë të gjitha mjetet”/ NATO e alarmuar pas sulmit të fundit rus, ngre avionët luftarakë në Poloni

19/08/2025 13:32

Avionët luftarakë të NATO-s u ngritën sot në ajër pas një breshërie dronësh dhe raketash ruse ndaj objekteve civile, energjetike dhe ushtarake në Ukrainë.

Pamje tronditëse treguan banorë në Poltava që bërtisnin pasi një sulm shkatërroi pallate banimi, duke shkaktuar zjarr mes rrënojave të ndërtesave të rrëzuara, shkruan Daily Mail.

Valët e sulmeve të Vladimir Putinit – që shkaktuan ndërprerje të energjisë në disa rajone – erdhën pak pasi Donald Trump njoftoi në Zyrën Ovale se administrata e tij ishte duke biseduar aktivisht me Moskën.

“Ne po zhvillojmë bisedime shumë serioze për atë luftë, duke u përpjekur t’i japim fund”, tha presidenti amerikan.

Kur u pyet nëse kishte folur drejtpërdrejt me Putinin, Trump tha: “Nuk dua ta them atë”.

Sulmet masive mund të jenë një shenjë se Putini nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës në Ukrainë, e cila këtë muaj hyn në vitin e saj të tretë.

Ndërsa Putini shton sulmet ajrore ndaj Ukrainës, ai u pa duke i dhuruar një buqetë me trëndafila të bardhë klerikut kryesor të Rusisë – Patriarkut Kirill të Kishës Ortodokse – në përvjetorin e 16-të të fronëzimit të tij.

Putin shihet i tërbuar nga një varg sulmesh të Ukrainës ndaj rafinerive të tij të naftës, përfshirë humbjen e portit kyç të Ust-Luga-s për eksportin e karburantit.

Shkalla e sulmeve bëri që NATO të ngrejë në ajër avionët luftarakë polakë dhe aleatë në krahun lindor të aleancës.

Putini dërgoi avionë bombardues strategjikë të aftë për armë bërthamore, përfshirë Tu-95 dhe Tu-22, në këto sulme, duke lëshuar raketa Kh-22 ndër të tjera.

Komanda operacionale e Varshavës tha: “Vëmendje, për shkak të sulmit të Federatës Ruse që po godet objekte të vendosura, ndër të tjera, në perëndim të Ukrainës, ka nisur operimi i aviacionit polak dhe atij aleat në hapësirën tonë ajrore”.

Komandanti i shërbimit “aktivizoi të gjitha forcat dhe mjetet e disponueshme”, thuhej në një deklaratë.

Avionët luftarakë të NATO-s u ngritën ndërsa “sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe ato të zbulimit me radio-lokacion arritën gjendjen e gatishmërisë më të lartë”.

Sulmet në orët e mëngjesit të së shtunës pasuan një sulm me raketa ruse mbi portin jugor të Detit të Zi, Odesa, mbrëmjen e kaluar, i cili dëmtoi qendrën historike të qytetit.

“Sulmet e përditshme të Rusisë ndaj Ukrainës janë një sinjal se agresori nuk do të ndalojë së kryeri krime”, tha në Telegram Avokati i Popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets.

“Mbrëmë dhe në mëngjes, Rusia bombardoi sërish Ukrainën: Odesa, Poltava, Kharkiv, Zaporizhzhia… Terroristi synon infrastrukturën civile: ndërtesa banimi, institucione arsimore, automjete.”

Ministria publikoi foto në aplikacionin Telegram ku dukej ndërtesa e banimit me disa kate të sipërme të shkatërruara dhe shtullunga tymi që ngriheshin drejt qiellit. Brigadat e zjarrfikësve dhe dhjetëra shpëtimtarë po kërkonin mes rrënojave.

Numri i viktimave nga sulmet u rrit në gjashtë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti këtë një “krim terrorist”. Tre persona u vranë në Poltava, dy në rajonin e Sumy-t dhe një në Kharkiv.

Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, një dron u rrëzua në lagjen e banuar Kholodnohirskyi, duke vrarë një grua dhe plagosur pesë të tjerë, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov.

Një bllok banimi u godit në Poltava, ku të paktën tre persona u vranë dhe dhjetë u plagosën, ndërsa forcat e shpëtimit po punojnë mes frikës se numri i viktimave mund të rritet.

“Për fat të keq, tre persona u vranë. Ngushëllimet e mia për të afërmit,” tha Zelensky.

“Çdo akt i tillë terrorist dëshmon se kemi nevojë për më shumë mbështetje në mbrojtjen kundër terrorit rus.

Çdo sistem mbrojtjeje ajrore, çdo raketë anti-ajrore shpëton jetë. Është shumë e rëndësishme që partnerët të veprojnë, të përmbushin marrëveshjet tona dhe të rrisin presionin mbi Rusinë.”

Top Channel