Putin-Zelensky në Budapest? Opsion i ri për takimin, Trump: Ukraina e ka humbur Donbasin

19/08/2025 22:52

Budapesti është një opsion për një takim të mundshëm mes Trump, Putin dhe Zelenskyt. Lajmin e raportuan mediat ndërkombëtare, ndërsa Shtëpia e Bardhë konfirmoi se po përgatitet një takim dhe saktësoi se do të jetë trepalësh, e jo një bisedë “kokë më kokë” mes Putin dhe Zelenskyt.

Presidenti rus kishte propozuar Moskën, që u refuzua menjëherë nga homologu ukrainas, ndërsa nuk u gjet dakordësi as për idenë e Macron që takimi të zhvillohej në Gjenevë.

Ndërkaq, mediat kanë zbuluar të tjera “prapaskena” që lidhen me shkëmbimin e territoreve. Rusia ka pushtuar një të pestën e territorit ukrainas dhe harta e madhe, e vendosur në Zyrën Ovale, ishte aty pikërisht për ta theksuar këtë element. Mesazhi ishte i pagabueshëm: kjo tokë është marrë dhe është koha të shqyrtohet një kompromis territorial me Putinin. Trump e konfirmoi këtë në intervistën për “Fox Neës”.

“Unë supozoj se e keni parë të gjithë hartën. Një pjesë e madhe e territorit ukrainas është marrë nga Rusia. Askush nuk mund ta injorojë realitetin e ri. Kështu që duhet të biem dakord nëse kërkojmë një zgjidhje duke iu referuar situatës aktuale, apo duke iu referuar realitetit të një dekade më parë”, tha ai.

Ekipi i Zelenskyt kishte sjellë hartën e vet në takim dhe presidenti ukrainas ishte përpjekur t’i tregonte Trumpit se në një mijë ditët e fundit Rusia kishte arritur të pushtonte më pak se 1% të territorit ukrainas. E megjithatë, kjo nuk ka ndryshuar pikëpamjen e presidentit amerikan për negociatat.
I pyetur se si ishte ndjesia në dhomë me udhëheqësit evropianë në lidhje me shkëmbimet e territoreve, Trump u përgjigj:

“Shikoni, ata folën gjatë për Donbasin, por Donbasi tani është… 79% në pronësi dhe i kontrolluar nga Rusia. Ja kjo është e vërteta”.

Raportohet se Putini i ka thënë Trumpit se dëshiron të gjithë rajonin e Donbasit si pjesë të një marrëveshjeje të gjerë paqeje, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Top Channel