Nga familja mbretërore në gjykatë! Djali i princeshës së Norvegjisë akuzohet për 4 raste përdhunimi, rrezikon deri në 10 vite burg

19/08/2025 11:08

Marius Borg Høiby, djali i princeshës norvegjeze Mette-Marit, është akuzuar për 32 vepra penale, përfshirë katër akuza për përdhunim, njoftoi prokurori shtetëror.

Høiby pritet të dalë para gjykatës në fillim të vitit të ardhshëm dhe mund të përballet me deri 10 vite burg nëse shpallet fajtor për akuzat më serioze.

Sipas aktakuzës, Høiby dyshohet për përdhunimin e katër grave të ndryshme, dhunë në marrëdhënie të mëparshme dhe regjistrimin e paligjshëm të disa grave, përfshirë organet gjenitale, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre. Ai akuzohet gjithashtu për ngacmim të policisë dhe shkelje trafiku.

Avokati i Høiby, Petar Sekulic, bashkë me Ellen Holager Andaenæs, tha: “Klienti ynë mohon të gjitha akuzat për abuzim seksual, si dhe shumicën e akuzave për dhunë. Ai do të paraqesë versionin e tij të hollësishëm para gjykatës.”

Høiby, i cili nuk ka titull mbretëror dhe nuk është në linjën e trashëgimisë së fronit, akuzohet se përdhunoi katër gra midis vitit 2018 dhe nëntorit 2024, të gjitha incidentet pas marrëdhënieve seksuale konsensuale ndërsa gratë po flinin. Ai dyshohet gjithashtu se i ka filmuar ato gjatë sulmeve.

Prokurori shtetëror, Sturla Henriksbø, gjatë prezantimit të aktakuzës, theksoi: “Këto janë akte shumë serioze. Përdhunimi dhe dhuna në marrëdhënie të afërta mund të lënë gjurmë të përjetshme dhe të shkatërrojnë jetë.”

Henriksbø shtoi se fakti që Høiby është pjesë e familjes mbretërore nuk do të ndikojë në trajtimin e tij ligjor, dhe gjykata do të vendosë si për çdo qytetar tjetër. Gjatë muajit të fundit, prokuroria ka vendosur për aktakuzën dhe afatet e gjyqit, i cili pritet të mbahet në janar dhe mund të zgjasë rreth gjashtë javë.

Shteti mbretëror norvegjez deklaroi: “Është për gjykatat të trajtojnë këtë çështje dhe të marrin një vendim. Nuk kemi komente të mëtejshme.”

Top Channel