Kthjellime, vranësira dhe reshje të izoluara në zonat malore! Si parashikohet moti për këtë të martë

19/08/2025 09:10

Të martën e 19 gushtit, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Pjesa më e madhe e territorit pritet të ketë mot me kthjellime, ndërsa nga mesdita deri në orët e pasdites vonë do të shfaqen vranësira mesatare, kryesisht në zonat kodrinore dhe malore.

Në këto zona, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të dobëta e me karakter lokal. Në relievet e larta malore, reshjet do të shfaqen në mënyrë të izoluar edhe në formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), era do të fryjë nga veriperëndimi – verilindja me shpejtësi 2-7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore hera-herës do të arrijë deri në 8-10 m/s.

Deti parashikohet me dallgëzim të lehtë, me forcë 1-2 ballë.

Top Channel