
Zbardhen detaje nga vrasja e 47-vjeçarit, Artur Bashimit në Greqi.
Sipas informacioneve të deritanishme të siguruar nga gazetari i Top Channel, Artur Bibe, njëri ishte autori i vrasjes që ndodhi të hënën në mbrëmje në Agios Panteleimonas, me viktimë një 47-vjeçar shqiptar, i njohur për autoritetet.
Sipas burimeve policore, vendi i vrasjes është filmuar nga një kamera sigurie në zonë. Autori duket se lëviz vetëm, i veshur me rroba të errëta, kaskë, xhup motoçikletë dhe doreza në mënyrë që të mos lërë gjurmë. Pastaj ai iu afrua 47-vjeçarit dhe e qëlloi një herë në gjoks. Menjëherë pas kësaj, ai u përpoq të tërhiqte përsëri këmbëzën, por arma u bllokua dhe nuk qëlloi.
Në vendin e ngjarjes, policia gjeti një gëzhojë të përdorur dhe një fishek të paqëlluar. Pamjet e ekzekutimit tregojnë një plan metodik dhe vendosmëri. Autori duket se ka qenë shumë i vetëdijshëm për lëvizjet e viktimës dhe ka zgjedhur një pikë dhe kohë specifike për të përcjellë mesazhin e tij. Identiteti i tij mbetet i panjohur, por policia po e shqyrton videon kornizë për kornizë për ta gjetur atë.
Top Channel