
Humbja e thellë 0-6 ndaj Vasco da Gama nuk ishte thjesht një humbje për Neymar Jr., por një nga goditjet më të rënda të karrierës së tij të fundit.
Ylli brazilian, 33-vjeç, nuk mundi të mbanë lotët teksa largohej nga fusha, i shkatërruar brenda dhe i vetëdijshëm për krizën e thellë që po kalon klubi i tij.
Tifozët shfaqën zemërimin ndaj skuadrës, dhe bordi reagoi menjëherë duke shkarkuar trajnerin Cleber Xavier. Neymar, i dëshpëruar, mundi të thoshte vetëm pak fjalë për mbështetësit: “Ishte një gjë e tmerrshme dhe turp.”
Por mes krizës doli një rreze shprese. Pas ngjarjes, Neymar ndau në rrjetet sociale mesazhin e tij prekës nga djali 13-vjeçar, Lucca, i cili i dha forcë dhe kurajo. Lucca i shkroi: “Natën e mirë, babi. E di që sot ishte një ditë e vështirë për ty dhe për ne, por dua të dish se në këto kohë të vështira, kur askush nuk është pranë teje, unë gjithmonë do të jem këtu për të të mbështetur.”
Mesazhi vazhdonte me fjalë të ngrohta: “Je më shumë se një baba i shkëlqyer; je një idhull, frymëzimi im. Edhe në ditët kur qan, dua të dish se të dua shumë. Familja jote është këtu për të të mbështetur çdo moment, qoftë i vështirë apo i mirë. Ti je BABAI IM dhe gjithmonë do të jem këtu për ty. Tani do të doja të mbaje kokën lart dhe të përballesh me ta si gjithmonë. Je i jashtëzakonshëm. Të dua me gjithë zemër.”
Pjesa përfundimtare e mesazhit të Lucca-s ishte një thirrje motivuese: “Mos hiq dorë nga ëndrra jote më e madhe për shkak të njerëzve që nuk të njohin. Mos e shiko humbjen e sotme si një dështim; përdore atë si motiv për të qenë gjithmonë më i mirë se dje. Mos harro kurrë: JE I MREKULLUESHËM… SHKO DHE FITO!”.
Në Vila Belmiro, Neymar u pa si një njeri i prekshëm dhe i brishtë, larg imazhit të idhullit të paprekshëm. Përtej rezultateve, dashuria e djalit të tij i dha yllit brazilian një arsye për të qëndruar dhe për të mos dorëzuar në mes të stuhisë.
Top Channel