Bisedimet e luftës Rusi-Ukrainë/ SHBA: Po bëhen gati përgatitjet për takimin! Trump: Jo trupa amerikane në Kiev, por mbrojtje ajrore

19/08/2025 22:20

Po marrin formë zhvillimet diplomatike në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa Shtëpia e Bardhë konfirmon përgatitjet për një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili mund të mbahet në fund të gushtit.

Një samit i nivelit të lartë u zhvillua dje në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti amerikan Donald Trump priti homologun ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë të rëndësishëm europianë, mes tyre Giorgia Meloni, Emmanuel Macron, Olaf Scholz, Ursula von der Leyen, Alexander Stubb dhe Mark Rutte.
Pas takimeve u dakordësua që takimi i shumëpritur Putin-Zelensky të mbahet në një vend neutral, ndërsa Budapesti është një nga opsionet në shqyrtim. Burime për “Politico” raportojnë se Shërbimi Sekret amerikan ka nisur përgatitjet në Hungari.

Trump: “S’do të dërgojmë trupa, por mbështesim me mbrojtje ajrore”

Gjatë një interviste për Fox News, Presidenti Trump theksoi qartë se SHBA nuk do të dërgojë trupa në terren në Ukrainë, por nuk përjashtoi ndihmën ushtarake përmes sistemeve të mbrojtjes ajrore.
“Është një mundësi reale,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke lënë të hapur skenarin për një mbështetje më të avancuar teknologjike ndaj Kievit.

Ndërkohë, Trump zbuloi se Franca, Britania dhe Gjermania kanë shprehur gatishmëri për të vendosur trupa në Ukrainë, në kuadër të një marrëveshjeje për garantimin e paqes.

Putin kërkon takim vetëm me Zelenskyn – Propozimi për Moskën refuzohet

Sipas burimeve pranë administratës amerikane, gjatë një bisede telefonike me Trump, Putin ka shprehur dëshirën për një takim kokë më kokë me Zelenskyn, pa ndërmjetësim të tretë. Madje, ka propozuar Moskën si vend takimi, por kjo u refuzua menjëherë nga pala ukrainase, siç konfirmoi këshilltari i presidentit Zelensky, Dmytro Lytvyn.

BE: Putini nuk është i besueshëm, duhen garanci të forta sigurie

Në një reagim zyrtar, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, paralajmëroi se “nuk mund të besohet në premtimet e Putinit” dhe theksoi nevojën për garanci të besueshme sigurie për Ukrainën, në mënyrë që të ndalohet çdo riorganizim apo rikthim i agresionit rus.
Ajo paralajmëroi gjithashtu një paketë të re sanksionesh ndaj Moskës që pritet të miratohet brenda muajit shtator.

Zelensky: Europa më e bashkuar se kurrë përkrah Ukrainës

Në një mesazh në Telegram pas takimeve në Uashington, Zelensky deklaroi:

Europa nuk ka qenë kurrë kaq e bashkuar në mbështetjen ndaj Ukrainës. Garancitë e sigurisë që po ndërtojmë do të sigurojnë një paqe të qëndrueshme për vendin tonë.”

Presidenti ukrainas zhvilloi edhe një telefonatë me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Støre, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët për një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë.

Top Channel