25 viktima nga sulmet e fundit në Gaza, Hamasi pranon marrëveshje armëpushimi për lirimin e pengjeve

19/08/2025 09:43

Sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës kanë shkaktuar të paktën 25 viktima që nga agimi i sotëm, sipas burimeve lokale.

Midis tyre, gjashtë persona humbën jetën në sulme ndaj tendave që strehonin të zhvendosur në Khan Younis, ndërsa katër të tjerë u vranë në një sulm mbi një tendë në Deir el-Balah.

Agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se vetëm në Deir el-Balah dhe zonat përreth janë vrarë 10 persona, përfshirë dy fëmijë. Dy të tjerë u vranë pranë Beit Lahiya, teksa prisnin ndihma humanitare. Në total, 53 persona u plagosën nga sulmet e fundit.

Ndërkohë, zyrtarë të Hamasit njoftuan se kanë pranuar një propozim për një marrëveshje armëpushimi, që përfshin lirimin e gjysmës së afërsisht 20 pengjeve izraelite të mbetura gjallë. Marrëveshja parashikon një proces me disa faza për t’i dhënë fund luftimeve.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, numri i të vrarëve palestinezë në 22 muaj luftë ka arritur në 62,000 persona.

Propozimi për armëpushim është rezultat i negociatave të zhvilluara në Kajro me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit, ndërsa tensionet politike në Izrael po rriten.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është përballur këtë fundjavë me protestat më të mëdha kundër luftës në Gaza, ku mijëra qytetarë kërkuan një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Ai ka kritikuar demonstratat duke i cilësuar si “një ndihmë për qëndrimin e Hamasit”.

Organizatorët e protestave kanë paralajmëruar se manifestime të reja do të mbahen edhe javën e ardhshme.

Top Channel