Vendimi për konstituimin e Kuvendit, Kurti “ul tonet”: Gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Kushtetueses!

18/08/2025 15:55

Me tone të ulura, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekzekutivi i drejtuar prej tij i ka respektuar të gjitha aktgjykimet e lëshuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Këto komente, Kurti i bëri pasi u pyet nga gazetarët nëse ai dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do të respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit. Në 8 gusht, Kushtetuesja nxori njoftimin për aktgjykimin për këtë çështje, por ende gjykata më e lartë në vend nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë.

“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe, nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, si subjekti më i madh në vend e Kuvend, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë pazakonshëm i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, ishte komenti i tij.

Sipas njoftimit, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë. Ky afat njëmujor do të nisë sapo të publikohet aktgjykimi i plotë, që ende nuk dihet se kur do të ndodhë.

Njoftimi i Kushtetueses është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga LVV-ja e Kurtit.

LVV-ja e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për rrëzimin e diktatit.

Edhe një herë po e ritheksoj që ne gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por kësaj radhe për dallim nga 26 qershori e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi aktgjykimin e plotë i cili po vonohet, e të cilin duhet ta lexojmë në tërësinë e tij. Më 26 qershor e kemi pasur në të njëjtën ditë edhe njoftimin, edhe aktgjykimin. Tash më 8 gusht e patëm njoftimin, por ja që ende nuk e kemi aktgjykimin. Kur ta lexojmë atë do ta themi vlerësimin tonë meritor. Por, nuk është mirë që kemi këtë vonesë, dhe në bazë të njoftimit, për bindjen time, ka mospërputhje mes këtij aktgjykimi të cilin versionin e plotë ende jemi duke e pritur dhe atij 26 qershorit të po kësaj përbërje të Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti më 18 gusht.

Top Channel