Ukraina prezanton për herë të parë raketën e re me rreze të gjatë veprimi “Flamingo”, nis prodhimi masiv

18/08/2025 13:08

Fotografi ukrainas Efrem Lukatsky ka publikuar imazhet e para të raketës së re kruz me rreze të gjatë veprimi, të quajtur “Flamingo”, e cila raportohet se ka hyrë në prodhim seri.

Fotografitë janë realizuar më 14 gusht në një objekt të kompanisë ukrainase të mbrojtjes Fire Point, ku shihet raketa gjatë procesit të montimit. Sipas Lukatsky, sistemi është projektuar për të goditur objektiva në distanca mbi 3,000 kilometra.

Megjithëse specifikimet teknike zyrtare nuk janë publikuar ende, dizajni i raketës duket i ngjashëm me sistemin FP-5, i prezantuar më herët këtë vit nga kompania britanike Milanion Group, gjatë ekspozitës së mbrojtjes IDEX-2025 në Abu Dhabi, sipas medias së huaj.

Sistemi FP-5 përfshin një luftëmbajtëse prej 1,000 kg, rreze maksimale prej 3,000 kilometrash dhe peshë lëshimi rreth 6 tonë. Ai ka një hapje fikse të krahëve prej gjashtë metrash, arrin shpejtësi deri në 900 km/h dhe përdor një sistem të kombinuar drejtimi, përfshirë navigim satelitor rezistent ndaj luftës elektronike.

Vëzhguesit ushtarakë sugjerojnë se raketa “Flamingo” mund të ketë parametra të ngjashëm, megjithëse konfirmimi zyrtar mbetet për t’u dhënë.

Përparimi i programit raketor ukrainas

Ukraina ka zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme programin e saj të raketave në vitet e fundit. Raketat kundër anijeve “Neptune”, të prezantuara për herë të parë në vitin 2020, fituan famë ndërkombëtare në prill 2022, kur u përdorën për të goditur dhe fundosur kryqëzorin rus Moskva. Që atëherë, variantet e përmirësuara të Neptune janë përshtatur edhe për përdorim ndaj objektivave tokësorë, me rreze të zgjatura.

Projekte të tjera përfshijnë raketën taktike balistike “Grim-2” (ose “Hrim-2”), e projektuar për rreze deri në 500 km, si dhe sisteme eksperimentale për mbrojtje ajrore dhe detare.

Më herët këtë vit, Ukraina testoi gjithashtu një raketë të re balistike të zhvilluar në vend, të cilën analistët e përshkruajnë si “më e madhe se ATACMS”. Sipas ekspertëve të mbrojtjes, raketa ka një rreze veprimi rreth 300 kilometrash, mbart një luftëmbajtëse prej mbi 400 kilogramësh, dhe tashmë është përdorur në operacione luftarake për të goditur objektiva komanduese ruse.

Analiza të mëtejshme tregojnë se raketa e re ofron precizion të përmirësuar krahasuar me sistemet e epokës sovjetike dhe mund të modifikohet për të arritur deri në 500 kilometra për përdorim të brendshëm.

Top Channel