Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: Oferta e Trump për garanci sigurie përparim në bisedimet për paqe

18/08/2025 21:30

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se oferta e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën përbën një “përparim” të rëndësishëm drejt një marrëveshjeje të mundshme paqeje për vendin.

“Fakti që ju keni thënë ‘Jam i gatshëm të marr pjesë në ofrimin e garancive të sigurisë’ është një hap i madh përpara, është vërtet një përparim dhe bën gjithë ndryshimin. Prandaj, faleminderit për këtë,” u shpreh Rutte drejtuar Trump-it gjatë takimit shumëpalësh në Shtëpinë e Bardhë, ku ishin të pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë evropianë.

Duke folur më herët në Zyrën Ovale, krah për krah me Zelensky-n, Trump nuk e përjashtoi mundësinë që SHBA të dërgojë trupa në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një marrëveshjeje të mundshme paqeje. “Do t’ju lajmërojmë për këtë, ndoshta më vonë gjatë ditës,” tha Trump.

Rutte falënderoi gjithashtu presidentin amerikan për “thyerjen e ngërçit” dhe për suksesin në sjelljen e presidentit rus Vladimir Putin në tryezën e bisedimeve për paqe.

Top Channel