
Katër personat e arrestuar pas ngjarjes së plagosjes së 27-vjeçarit në Dvoran të Korçës dolën sot para gjykatës.
Gjykata caktoi masën “detyrim paraqitje” për tre prej tyre, ndërsa për njërin u vendos që të hetohet në gjendje të lirë.
Konkretisht, në masën “detyrim paraqitje” u lanë Isuf Dalip, Dhimitër Kodra dhe Bilal Shkëmbi, ndërsa në gjendje të lirë do të hetohet Thanas Paskali.
Ekspertiza mjeko-ligjore konkludoi se Aleks Qiqi u plagos lehtë nga katër të arrestuarit. Këta të fundit, sipas hetimeve, reaguan duke e goditur pasi Qiqi plagosi me thikë 27-vjeçarin Ari Kodra.
Ndërkohë, për masën e autorit të plagosjes, seanca u zhvillua në ambientet e spitalit rajonal të Korçës, për shkak se ai po merr ende trajtim mjekësor.
Seanca për masën e sigurisë ndaj autorit të plagosjes, Aleks Qiqi përfundoi në spital, ku gjykata vendosi “arrest me burg” për 41-vjeçarin, i cili pak ditë më parë plagosi me thikë një 27-vjeçar në fshatin Dvoran. Kërkesa e prokurorisë për “arrest me burg” u pranua nga gjykata e Korçës.
Top Channel