
Giorgio Assumma, avokati dhe miku i ngushtë i Pippo Baudos, ishte pranë tij deri në momentet e fundit. Ai tregon për gjendjen e shëndetit të legjendës së televizionit italian dhe për vuajtjet që Baudo kaloi në ditët e fundit.
“S’mund të themi që vdiq nga një sëmundje e gjatë apo nga një aksident në shtëpi. Pippo u godit nga një dobësim neurologjik në këmbë, që e bëri të kufizuar në lëvizje. Ai shikonte keq dhe përpiqej ta fshehte këtë ndaj meje. Në muajt e fundit qëndroi pothuajse i mbyllur në shtëpi, nuk dilte shumë, përveç rasteve të rralla si festa e Pingitores. Edhe me mua komunikonte më shumë nëpërmjet telefonatave ku i tregoja batuta dhe e dëgjoja të qeshte,” rrëfen avokati.
Baudo ishte i trishtuar, ndjente se koha ikte dhe vështirë se mund të ruante vendin e tij në televizion. Njëherë e vetëm e pa të rrëzuar emocionalisht, në vitin 1987, kur presidenti i RAI-t e quajti “nazional-popolare”, një shenjë që e preku thellë, shkruan Corriere della Sera.
Për shumë vite ai u la mënjanë nga RAI dhe u detyrua të kalonte te Mediaset. “E shoqërova te Berlusconi në Arcore, ku ai komentoi keq programet e RAI-t. Pippo nuk tha asgjë, ishte i heshtur dhe ndjente sikur ishte tradhtuar nga nëna e tij profesionale,” tregon Assumma.
Në bisedat e tyre të fundit, ata flisnin për brezin e ri të prezantuesve që kanë pak shanse për të pasur sukses, ndërsa Baudo kishte ndihmuar shumë prej tyre të ngriheshin. Avokati zbulon se Pippo kishte përzgjedhur si pasardhës të mundshëm Stefano De Martinon, për mënyrën e tij të të folurit dhe lidhjes me publikun.
“Pippo ishte njeri i madh kulture dhe patriotizmi, i lidhur thellë me miqësinë dhe familjen. Kishte pak miq të ngushtë, mes tyre Claudio Baglioni, me të cilin ndanë momente të bukura edhe në kohë vështirësish”, rrëfen më tej ai.
Përgjatë karrierës, Baudo la gjurmë të pashlyeshme në televizionin italian, si në programin “Domenica In”, ashtu edhe në Festivalin e Sanremos, ku tregoi talent dhe intuitë, si në episodin me Louis Armstrong në vitin 1968.
Ky portret i ndjerë na rikthen një njeri që, pas gjithë famës dhe lavdisë, u përball me sfidën më të vështirë: vetminë dhe kalimin e kohës.
Top Channel