
Policia kombëtare e Ekuadorit ka njoftuar se shtatë persona u vranë me armë zjarri në një sallë bilardoje në distriktin e jetës së natës në Santo Domingo, rreth 150 kilometra në perëndim të kryeqytetit Quito.
Sipas autoriteteve, disa persona të armatosur me maska të zeza hapën zjarr ndaj dy burrave që ndodheshin te hyrja e lokalit, duke shkaktuar panik te kalimtarët. Më pas, sulmuesit hynë brenda sallës dhe vijuan të qëllonin, përpara se të arratiseshin, pak çaste përpara mbërritjes së policisë.
Violencia imparable en Ecuador
Nueva masacre deja 7 muertos en Santo Domingo de los Tsáchilas. Video captó el momento#️⃣ Venezuela echaleche Olón #Pichincha Soles policía Nacional Luisa González pic.twitter.com/COLfHO3Zsc
— Radio Dinámica Ecu (@RadioDinamicaE) August 17, 2025
Mediat lokale raportojnë se hetimet e para lidhen me krimin e organizuar në zonë. Ngjarja e rëndë pason masakra të tjera të ngjashme: muajin e kaluar, në qytetin turistik General Villamil Playas, të paktën 9 persona u vranë në një tjetër sallë bilardoje, ndërsa në prill, 12 persona humbën jetën në një arenë për duele gjelash, rreth 30 kilometra larg Santo Domingos.
Ekuadori, dikur i konsideruar një nga vendet më të qeta në Amerikën Latine, është zhytur në një krizë të thellë sigurie për shkak të zgjerimit të karteleve ndërkombëtare të drogës, që shfrytëzojnë portet e vendit për trafik drejt SHBA-së dhe Europës.
Shkalla e vrasjeve është rritur nga 6 për 100,000 banorë në 2018, në 38 për 100,000 në vitin 2024.
Vetëm nga janari deri në maj të këtij viti, janë regjistruar mbi 4,051 vrasje – periudha më e dhunshme në historinë e fundit të vendit.
Fundjavën e kaluar, 14 persona u vranë në masakra në provincën e Guayas, një nga katër provincat ku presidenti Daniel Noboa ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Top Channel