Legjionarët/ Kumbulla zbarkon në Spanjë, gati të bashkohet me Muriqin! Asllani largohet nga Interi, Seferi gjen golin në Turqi

18/08/2025 10:56

Marash Kumbulla ka mbërritur në Spanjë, gati për të nisur aventurën e tij të re me Mallorca-n, të paktën për sezonin e ardhshëm.

Mbrojtësi shqiptar, i lindur në vitin 2000, është transferuar nga Roma në formë huazimi me të drejtë blerjeje. Për 24-vjeçarin ky është një rikthim në futbollin spanjoll, pasi sezonin e kaluar ai ka veshur fanellën e Espanyolit.

Tani, ai do të kërkojë të fitojë një rol të rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga trajneri i Mallorca-s. Pas mbërritjes, Kumbulla ka dhënë edhe fjalët e para: “Jam shumë i lumtur që jam këtu. Zgjodha Mallorca-n sepse trajneri dhe drejtori sportiv më dhanë besim.”

Me këtë deklaratë, mbrojtësi kuqezi ka treguar vendosmërinë e tij për të qenë protagonist në La Liga dhe për të ndihmuar Mallorca-n në objektivat e saj në sezonin e ri.

Pas shitjes së mesfushorit të majtë Zalewski te Atalanta, Interi po përgatitet për një largim tjetër: ai i sulmuesit shqiptar, Kristjan Asllani. Që nga fillimi i korrikut, Asllani është zyrtarisht në treg, dhe interesimi më i madh tani vjen nga Bologna, e cila ka kaluar Torino-n në garë për nënshkrimin e tij.

Klubi emilian ka marrë mbështetjen e plotë të lojtarit, i cili një muaj më parë kishte refuzuar një transferim te Betisi. Bologna është gati të ulet në tryezën e negociatave me Interin për të arritur një marrëveshje. Interi vlerëson Asllanin, i cili ka luajtur më parë te Empoli, të paktën 15 milionë euro dhe po shqyrton mundësinë e një shitjeje të përhershme ose, si opsion i dytë, një huazim me detyrim blerjeje.

Frosinone ka shkaktuar një surprizë të madhe në Kupën e Italisë, duke mundur Monzan 1-0 dhe duke siguruar vendin në fazën e 1/16-ve, ku do të ndeshet me Cagliari-n.

Ndeshja në ‘U-Power Stadium’ ishte e tensionuar dhe plot emocione, me shumë raste për skuadrën pritëse, por golin vendimtar e shënoi Kvernadze në minutën e 92-të.

Monza dominoi në pjesën më të madhe të ndeshjes por mbrojtja e Frosinone-s dhe portieri shqiptar Alen Sherri shpëtuan disa raste të pastra, duke mbajtur skuadrën në lojë deri në momentin vendimtar.

Ndërkohë që Sherri pësoi një dëmtim të rëndë në minutën e 80-të, pasi u përplas me një shok të skuadrës. Gjithçka ndodhi në një tentativë për të larguar topin në vijën fatale.

Sulmuesi i Kombëtares, Taulant Seferi, ka realizuar një gol të bukur në ndeshjen mes Sivaspor-it dhe Bodrum-it, e vlefshme për javën e dytë të Ligës së Parë të Turqisë.

Goli i Seferit erdhi në minutën e 20-të, duke zhbllokuar sfidën në favor të miqve të Bodrumit. Sulmuesi shqiptar e bëri gjithçka të duket e lehtë, ndërsa mbrojtësi dhe portieri i Sivaspor-it nuk arritën ta ndalonin.

Të dyja skuadrat, Sivaspor dhe Bodrum, ranë nga elita në fund të sezonit të kaluar, duke e bërë këtë sfidë një mundësi për të nisur sezonin e ri me pikë të rëndësishme.

Top Channel