“Dy sulmuesit e Premier League dhe Vlahovic në listë”, Tare flet për merkaton e Milanit: E kuptova menjëherë që Modric do vinte

18/08/2025 09:29

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për planet e klubit në merkato para debutimit në Kupën e Italisë kundër Barit në “San Siro”.

Në një intervistë për Sportmediaset, Tare u ndal veçanërisht te roli i sulmit, duke konfirmuar disa emra të mëdhenj që janë në radarët e Rossonerëve.

“Hojlund është një opsion i mirë për ne. Po e vlerësojmë këto ditë, por tregu i transferimeve është i paparashikueshëm,” u shpreh ai për sulmuesin e Manchester United. “E dimë që duhet të ndërhyjmë në atë pozicion dhe lojtari që do të vijë duhet të sjellë diçka shtesë në këtë grup.”

Tare gjithashtu pranoi interesin për Dusan Vlahovic: “Ky është gjithashtu një opsion, një sulmues duhet të vijë.”

Një tjetër pistë e hapur mbetet ajo e Nicolas Jackson të Chelseat. Trajneri i Blues, Enzo Maresca, ka pranuar se lojtari mund të largohet, ndërsa sipas Tares, kontaktet me agjentin e sulmuesit senegalez tashmë janë bërë.

Ndryshe nga sulmi, mesfusha është rinovuar ndjeshëm. “Prioriteti i projektit tonë ishte të punonim në mesfushë, sepse Milani duhet të dominojë ndeshjet dhe t’i fitojë ato,” tha Tare. “Me mbërritjen e Jasharit, Modriçit dhe Riçit, niveli është rritur.”

Për Luka Modriçin, legjendën e Real Madridit, drejtori sportiv i kuqezinjve nuk i fshehu emocionet: “Modriç ishte tifoz i Milanit që fëmijë. Dy fëmijë që mbështesnin Milanin u takuan. E kuptova menjëherë mënyrën e tij të të menduarit. Ardhja e tij është një vlerë e shtuar për këtë ekip.”

Top Channel