Dramë në Cincinnati! Sinner tërhiqet në finale pas 23 minutash lojë, Alcaraz fiton trofeun dhe i dedikon një mesazh prekës numrit 1 në Botë

18/08/2025 22:39

Finalja e turneut të Cincinnati përfundoi para se të niste vërtet.

Pas vetëm 23 minutash lojë, Jannik Sinner u detyrua të tërhiqej në disavantazhin 5-0 ndaj Carlos Alcaraz, duke i dhënë spanjollit trofeun.

Që në pikët e para u pa qartë se numri 1 i botës ishte në vështirësi fizike. Shërbimet e tij ishin të dobëta, goditjet e zakonshme nga fundi i fushës nuk po funksiononin, ndërsa lëvizjet ishin të ngadalta dhe pa reagim. Gjithçka tek gjuha e trupit tregonte se Sinner nuk ishte në gjendje të luante.

“E provova, më vjen keq”, i tha ai rivalit dhe mikut të tij Alcaraz, pasi ngriti flamurin e bardhë. Italiani kishte dashur të respektonte finalen e madhe, por siç i deklaroi stafit mjekësor, “po ndjehem shumë keq”. Kushtet klimaterike në Cincinnati – temperatura 32 gradë dhe lagështia mbi 50% – e rënduan edhe më shumë gjendjen e tij.

Në fund, Alcaraz përqafoi Sinner-in dhe shfaqi po aq zhgënjim sa rivali. “Sorry Jannik”, shkroi spanjolli mbi kamerë, duke shoqëruar mesazhin me një emotikon të trishtuar.

Në ceremoninë e zymtë të çmimeve, Sinner shpjegoi:
“Që dje nuk ndihesha mirë. Shpresoja të përmirësohesha gjatë natës, por përkundrazi gjendja u përkeqësua. E provova, por më vjen keq që zhgënjeva të gjithë, sidomos ata që lanë punën apo angazhimet për të ardhur të më ndiqnin sot.”

Top Channel