Tre vite pas nisjes së pushtimit rus, Ukraina mbetet e përfshirë në një luftë të përgjakshme, me territore të pushtuara, miliona civilë në rrezik dhe me sytë nga Perëndimi, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky pritet të zhvillojë një takim vendimtar me Donald Trump.

Ndërsa Moska vazhdon ofensivën në lindje dhe jug të vendit, Kievi kërkon mbështetje më të madhe ndërkombëtare – ushtarake, ekonomike dhe politike.

Por për të kuptuar më mirë zhvillimet, ja disa nga termat kyç që kanë dominuar narrativën e kësaj lufte:

Çfarë është NATO dhe çfarë përfaqëson Neni 5?

NATO është një aleancë ushtarake e përbërë nga 32 vende të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë Perëndimore. E themeluar në vitin 1949 si një mburojë ndaj Bashkimit Sovjetik, aleanca është zgjeruar ndjeshëm gjatë dekadave të fundit. Në qendër të traktatit të saj është Neni 5 – një klauzolë që përcakton se një sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Kjo do të thotë se nëse Rusia sulmon një vend anëtar, të gjitha vendet e tjera janë të detyruara të ndërhyjnë për ta mbrojtur. Ukraina nuk është ende pjesë e NATO-s.

Çfarë është Krimea?

Krimea është një gadishull në jug të Ukrainës, i vendosur në Detin e Zi. Që prej vitit 2014 ndodhet nën kontrollin e forcave ruse, pasi Moska e aneksoi atë në mënyrë të paligjshme. Pozicioni i saj strategjik në bregdetin jugor të Ukrainës e bën shumë të rëndësishme për interesat ushtarake dhe politike të Rusisë.

Çfarë është Donbasi?

Donbasi është një rajon me rëndësi të madhe strategjike dhe industriale në lindje të Ukrainës. Ai përfshin dy provinca kryesore – Luhansk dhe Donetsk. Gjatë pjesës më të madhe të luftës, forcat ruse dhe ato ukrainase janë përfshirë në një përplasje të ashpër për kontrollin e kësaj zone. Aktualisht, Rusia kontrollon të gjithë territorin e Luhanskut dhe rreth 70% të Donetskut. Vlerësohet se mbi tre milionë qytetarë ukrainas jetojnë nën pushtimin rus në këtë rajon.

Top Channel