
Këtë të hënë gushti, në zbatim të vendimit të gjykatës, Sali Berisha zbatoi masën e detyrimit për paraqitje para SPAK për dosjen partizani ku është nën akuzën e korrupsionit pasiv.
Por oborri i SPAK tashmë është kthyer edhe në një podium për kreun e opozitës i cili përpara mbështetësve që e shoqërojnë gjithmonë akuzon në mënyrë të përsëritur kreun e SPAK si të lidhur me krimin. Por në një retorikë krejt tjetër ai u shpreh për dy njerëz të tjerë të drejtësisë, Prokuroren Elsa Gjeli dhe gjyqtarin Hazbi Balliu.
Sipas Berishës, për vendimet e tyre konform ligjit, kryeministri Rama u ka sulmuar egërsisht por Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor hanë heshtur ndryshe nga sa kanë vepruar kur Berisha ka folur për njerëzit e drejtësisë.
“Edi Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila në mënyrë absolute kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e policisë së Shkodrës….
A dëgjuat ju, dy sulme të egra, a dëgjuat ju një fjalë të vetme nga dy institucionet kryesore të drejtësisë, të cilat detyrimisht duhet të merrnin në mbrojtje këto individë sepse kishin zbatuar ligjin.
Asnjë fjalë, heshtje varri”, u shpreh Berisha.
Dosja “Partizani” ka kaluar për gjykim që më 19 maj, ku Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë. Në të njëjtën dosja është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi i cili akuzohet për korrupsion por edhe për pastrim parash.
Top Channel