Tragjike! E goditi disa herë me thikë dhe më pas e mbyti me jastëk, e moshuara vret partnerin e saj të sëmurë: Nuk ia dilja dot më

16/08/2025 16:48

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Milanon në natën e Ferragostos.

Një grua 64-vjeçare, Nunzia Antonia Mancini, dyshohet se ka vrarë partnerin e saj prej më shumë se 40 vitesh, Vincenzo Ferrigno, 73 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, gruaja fillimisht e goditi disa herë me thikë të moshuarin, i cili ndodhej në gjumë, dhe më pas e mbyti me jastëk. Pas ngjarjes, ajo ka zbritur në rrugë dhe ka telefonuar policinë duke thënë: “E vrava, nuk ia dilja më.”

Policia dhe ekipet e emergjencës mbërritën në banesën e çiftit, në katin e dytë të një pallati në Milano, ku gjetën trupin e pajetë të Ferrignos në shtrat.

Viktima, ish-shitës gazete, kishte pësuar disa goditje në tru gjatë viteve të fundit dhe gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit.

Në dëshminë e saj para prokurores Maria Cristina Ria, Mancini ka shpërthyer në lot duke thënë: “Nuk mundesha më të kujdesesha për të.”

Ajo është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e krimit.

Top Channel