Takimi mes Trump dhe Zelenskyt në Zyrën Ovale! JD Vance do të jetë sërish pjesë e bisedimeve, çfarë pritet të ndodhë

16/08/2025 23:01

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, do të jetë i pranishëm në takimin zyrtar mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që do të mbahet të hënën në Zyrën Ovale.

Praninë e Vance e ka konfirmuar një burim për CNN.

Ky do të jetë një takim i rëndësishëm mes dy liderëve në një moment kritik për situatën në Ukrainë dhe për raportet SHBA-Kiev.

Vizita e fundit e Zelenskyt në Zyrën Ovale ndodhi në shkurt dhe u shoqërua me tensione politike. Në atë kohë, JD Vance kritikoi presidentin ukrainas për, sipas tij, mungesë mirënjohjeje ndaj ndihmës amerikane, duke e pyetur publikisht: “A e ke thënë ndonjëherë ‘faleminderit’?”

Megjithatë, në muajin maj, Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takuan me Zelenskyn në Itali, në një përpjekje për të zbutur tonet dhe për të vendosur dialog konstruktiv. Edhe pse takimi u zhvillua me dyer të mbyllura për median, Vance publikoi më vonë një foto me Zelenskyn, ku të dy shfaqen duke buzëqeshur.

Takimi i së hënës pritet të fokusohet në çështje të sigurisë, ndihmën ushtarake dhe zhvillimet më të fundit në fushën e betejës në Ukrainë. Roli i JD Vance në këtë dialog pritet të tërheqë vëmendje të veçantë, për shkak të qëndrimeve të tij të mëhershme skeptike ndaj ndihmës për Ukrainën.

Top Channel