Skandal në Londër! Afganët që punuan me trupat britanike në rrezik, zbulohet shkelja e të dhënave që preku mbi 3000 persona

16/08/2025 16:22

Mijëra afganë të sjellë në Mbretërinë e Bashkuar përmes skemës së zhvendosjes dhe ndihmës për bashkëpunëtorët e trupave britanike janë prekur nga një shkelje e sigurisë së të dhënave, pasi një nënkontraktor i Ministrisë së Mbrojtjes pësoi sulm kibernetik.

Sipas raportimeve, deri në 3,700 persona mund të kenë pasur të ekspozuara të dhëna të ndjeshme si emrat, datat e lindjes, informacionet e pasaportës dhe numrat e referencës të skemës Arap (Afghan Relocations and Assistance Policy). Incidenti lidhet me kompaninë Inflite The Jet Centre, e cila ofron shërbime në aeroportin Stansted të Londrës.

Shkelja ndodhi mes janarit dhe marsit 2024, periudhë gjatë së cilës shumë afganë u sollën në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e programit të zhvendosjes. Familjet e tyre u njoftuan përmes një emaili zyrtar të premten, ku u paralajmëruan se të dhënat personale mund të jenë kompromentuar.

Ky është incidenti i dytë serioz në pak kohë, pasi vetëm një muaj më parë u zbulua një tjetër shkelje që kishte prekur rreth 19,000 aplikantë afganë të vitit 2022.

Megjithatë, qeveria britanike theksoi se nuk ka asnjë provë që të dhënat e ekspozuara janë shpërndarë ose publikuar dhe se “incidenti nuk ka përbërë rrezik për sigurinë e individëve dhe nuk ka cënuar asnjë sistem qeveritar”.

BBC raporton se përveç afganëve të zhvendosur, mes të prekurve mund të jenë edhe persona të tjerë, përfshirë ushtarakë britanikë dhe ish-ministra të qeverisë konservatore.

Një zëdhënës i qeverisë tha se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme: “E marrim sigurinë e të dhënave jashtëzakonisht seriozisht dhe po shkojmë përtej detyrimeve tona ligjore në informimin e të gjithë individëve potencialisht të prekur.”

Top Channel