Siç u pa edhe gjatw transmetimit direkt, Donald Trump duartrokiti Vladimir Putinin disa herë kur dy liderët u takuan mbi një tapet të kuq në bazën ajrore të SHBA-së, ku tani po zhvillojnë takim privat me këshilltarët e tyre kryesorë për politikën e jashtme.

Zyra e Shtypit e Kremlinit shpërndau shpejt një fotografi të presidentit amerikan duke duartrokitur “kundërshtarin e tij rus”.

 

Fakti që presidenti i SHBA-së duartrokiti presidentin rus dhe kriminel të dënuar lufte, bëri që historiani i Luftës së Ftohtë me origjinë ruse, Sergey Radchenko, të postonte një emoji të habitur në X. “Unë argumentova në librin tim se rusët dëshirojnë më shumë se gjithçka të njihen nga SHBA-ja,” shtoi ai. “Ja ku e kemi. Këtu është.”

Tre raundet e duartrokitjeve të Trumpit u kapën në një transmetim të drejtpërdrejtë në kanalin e Shtëpisë së Bardhë në YouTube. Por, disa minuta më vonë, kur Shtëpia e Bardhë postoi videon e përshëndetjes në rrjetet sociale, klipi u redaktua që të fillonte një çast pas përfundimit të raundit të tretë të duartrokitjeve të Trumpit për Putinin.

Videoja e postuar në llogaritë zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në Instagram dhe X tregon se krahu i majtë i Trumpit ende lëvizte pranë trupit teksa fillonte klipi. Një shikim i transmetimit origjinal tregon se krahu i tij sapo kishte rënë pranë trupit në atë pikë, pasi ishte ngritur përpara presidentit për të duartrokitur liderin rus, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.

Top Channel