
Disa ministra nga vendet e Europës Lindore, të cilat ndihen më të kërcënuara nga ekspansionizmi rus, kanë filluar të reagojnë pas samitit të Alaskës, duke mos shprehur shumë entuziasëm për rezultatet e tij.
Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, tha se mbështet përpjekjet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, por ka dyshime rreth interesave të Presidentit rus, Vladimir Putin, për të arritur vërtet një marrëveshje. “Nëse Putin do të ishte serioz në lidhje me negociatat për paqe, ai nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën gjithë ditën sot”, tha Lipavsky.
Nga ana tjetër, Ministrja lituaneze e mbrojtjes, Dovile Sakaliene, shkroi në X se Putini po “manipulon më tej viktimat dhe po bën kërcënime delikate” ndaj Bashkimit Evropian dhe Ukrainës, duke i nxitur ata të mos “sabotojnë” progresin e supozuar në samitin e Anchorage. Daniel Fried, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, njëherësh arkitekt i sanksioneve amerikane kundër Rusisë, pasi Moska mori nën kontroll Krimenë më 2014, tha pas konferencës në Alaskë se SHBA-ja “duket se nuk ia dorëzoi Ukrainën” Putinit. “Asnjë marrëveshje për Ukrainën.
Putini e teproi me retorikën e ricikluar për shtensionimin e situatës. Fatmirësisht, Trump nuk duket se ia dorëzoi Ukrainën. Por, përparimi që përmendi Trump nuk është i përcaktuar dhe mund të mos ekzistojë fare. Këto përshtypje të para do të ndryshojnë me daljen e më shumë informacioneve”, shkroi ai në X. Për ish-kryetarin e Konferencës së Mynihut për Sigurinë, Ëolfgang Ischinger, samiti i Alaskës ishte një fitore e qartë për Putinin.. “Alaska: Putini mori tapetin e kuq me Trumpin, Trumpi asgjë,” shkroi Ischinger në platfformën X.”Sikurse kishim frikë: pa armëpushim, pa paqe. Pa përparim të vërtetë – shumë qartë 1:0 për Putinin – jo sanksione të reja.
Për ukrainasit: asgjë. Për Evropën: thellësisht zhgënjyese,” shkroi Ischinger, ish ambassador i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara nga viti 2001 deri në vitin 2006. Në takimin, që u mbajt në bazën ushtarake Elmendorf mes dy udhëheqësve, morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Po ashtu, Putin ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe këshilltari për çështje të jashtme, Yuri Ushakov.
Top Channel