“Samit i kotë e i neveritshëm”, shpërthejnë mediat në Kiev: Putini mori atë që deshi!

16/08/2025 12:00

Një samit i shumëpritur, për disa konstruktiv, për disa të tjerë zhgënjyes: Por përtej liderëve politike, si e panë mediat e mëdha botërore takimin e Alaskës mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit.

Për New York Times, shefi i Shtëpisë se Bardhë dhe ai i Kremlinit u shfaqën si miq, por marrëveshje për Ukrainën nuk u arrit. Presidenti Trump, shkruan gazeta prestigjoze i rezervoi Putinit një pritje të ngrohtë, duke i dhënë fund kështu praktikisht izolimit të tij ndërkombëtar. Por Putini ama, nuk pranoi t`a mbyllte konfliktin.

Shumë fanfarë, pak rezultate është përfundimi i Washington Post, që thekson se samiti nisi me tapet të kuq, por u mbyll më shpejt nga sa pritej, me një dalje të zymtë. Trump dështon të sigurojë një marrëveshje për Ukrainën hnë samitin e Alaskës, shkruan i prerë Financial Times. Edhe më i ashpër është në komentet e tij shtypi në Kiev.

“Samit i kotë dhe i neveritshëm, Putini u trajtua si të ishte mbret”, shkruan Kyiv Independent. Në editorialin e përflakur, takimi përshkruhet si një turp. “Trump nuk mori atë që deshi, por Putini? Ai e mori. Diktatori rus rrezatonte, që në momentin që zbriti nga avioni i tij në tokën amerikane. Gazeta nënvizon nga ana tjetër pabarazinë e madhe të trajtimit të rezervuar Volodimir Zelenskyt, i cili në muajin shkurt, u përball me një “poshtërim publik” në takimin me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti rus nga ana tjetër, vazhdon shkrimi, u mor me të mira e u përkëdhel.

Të dyja episodet, vazhdon Kyiv Independent, ishin të turpshme. Konkluzioni i editorialit është se Trump nuk arrin ta kuptojë se Putini nuk ka një qasje transaksionale por mesianike në raport me Ukrainën. Ai në thelb Ukrainën e do për Rusinë, dhe pikë”, vazhdon artikulli.

Top Channel