Restaurimi i kishës 1300 vjeçare! Ishte mbyllur prej 5 vitesh, nis ndërhyrja në kishën e Arrëzit në Lushnjë

16/08/2025 15:37

Kisha 1300 vjeçare në fshatin Arrëz të Lushnjës ka nisur të restaurohet.

Ndërhyrja ishte urgjente për shkak se rrezikohej shembja e një prej monumenteve më të vjetra historike të Myzeqesë.

Është instituti kombëtar i trashëgimisë kulturore, i cili bëri të mundur nisjen e punimeve, pas alarmit të dhënë edhe nga prifti i këtij objekti kulti.

Puna ka nisur prej një muaji me rregullimin e çatisë, dëmtimi i plotë i së cilës solli në degradimin e kishës së Shën Todrit.

Kisha ishte e mbyllur për Besimtarët që prej vitit 2020, të cilët nuk kryenin asnjë rit fetar në këto ambiente. At Harallamb Llupo, tregon se Shën Todri është një ndër kishat më të veçanta të stilit në ndërtim, ndaj ajo është monument kulture i kategorisë së parë.

Afati i punimeve restauruese në Kishën e Shën Todrit është pesë muaj. Pas kishës në Bishqethëm kjo është kisha e dytë që restaurohet në Lushnjë.

Ato janë objekte të shpallura monument kulti të kategorisë së parë dhe ruhen me status të veçantë nga shteti shqiptar.

Top Channel