Rëndohet bilanci viktimave nga përmbytjet e rënda në Pakistan! Konfirmohen mbi 300 humbje jete, dhjetëra shtëpi të shkatërruara

16/08/2025 13:11

Të paktën 307 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga shirat e dendura musonike që kanë goditur veriperëndimin e Pakistanit dhe Kashmirin e administruar nga Pakistani.

Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet më tej. Shumica e viktimave në Khyber Pakhtunkhwa.

Pjesa më e madhe e vdekjeve është regjistruar në Khyber Pakhtunkhwa, një provincë malore pranë kufirit me Afganistanin, ku të paktën 74 shtëpi janë dëmtuar rëndë. Një helikopter shpëtimi M-17 u rrëzua për shkak të motit të keq gjatë operacionit në rajonin Bajaur, duke vrarë pesë anëtarë të ekuipazhit.

Në Kashmirin e administruar nga Pakistani, autoritetet raportuan nëntë viktima, ndërsa pesë persona të tjerë humbën jetën në Gilgit-Baltistan.

Në pjesën e Kashmirit të administruar nga India, një përmbytje e papritur në një fshat në Himalaje vrau të paktën 60 persona dhe zhduku dhjetëra të tjerë.

Në Bajaur, banorët u mblodhën për të ndihmuar ekipet e shpëtimit që po gërmonin kodrat me ekskavatorë. Ceremonitë mortore nisën në një kullotë aty pranë, ku trupat e viktimave ishin vendosur nën batanije.

Shërbimi Meteorologjik i Pakistanit paralajmëron për reshje të dendura deri më 21 gusht, ndërsa disa zona në veriperëndim të vendit janë shpallur zona katastrofe.

 

Top Channel