Ofendoi me thirrje raciste futbollistin kundërshtar, vihet në pranga tifozi i Liverpool-it

16/08/2025 18:08

Një burrë është arrestuar pas raportimeve të lojtarit të Bournemouth, Antoine Semenyo, për thirrje raciste gjatë ndeshjes hapëse të Premier League ndaj Liverpool në Anfield.

Ndeshja e së premtes u ndërpre për pak në minutën e 29-të, kur Semenyo njoftoi arbitrin për incidentin. Policia e Merseyside identifikoi një 47-vjeçar nga Liverpool dhe e largoi nga stadiumi. Ai u arrestua të shtunën nën dyshim të shkeljes së rendit publik me motiv racor dhe dërgua në paraburgim për hetime.

Ndeshja rifilloi katër minuta më vonë, dhe Semenyo shënoi dy gola për Bournemouth, të cilët humbën 4-2 nga Liverpool.

Kapiteni i Bournemouth, Adam Smith, tha për Sky Sports: “Tregon sa i fortë është si njeri që e raportoi incidentin te arbitri dhe vazhdoi lojën. Lojtarët e Liverpool ishin shumë mbështetës ndaj tij dhe gjithë ekipit.”

Trajneri i Liverpool, Arne Slot, komentoi se incidenti “e errësoi pak atmosferën e ndeshjes, sepse tifozët tanë ishin të mahnitshëm, veçanërisht me homazhet për Diogon”.

Premier League njoftoi se do të kryejë gjithashtu një hetim mbi ngjarjen. Football Association shtoi: “Incidentet e këtij lloji nuk kanë vend në lojën tonë. Do të bashkëpunojmë ngushtë me arbitrat, klubet dhe autoritetet përkatëse për të zbuluar faktet dhe për të marrë masat e duhura.”

Organizata kundër diskriminimit Kick It Out deklaroi se qëndron solidar me Semenyon dhe lavdëron guximin e tij: “Anthony Taylor dhe ekipi i tij i arbitrit gjithashtu meriton lavdërim për veprimet e shpejta dhe vendimtare.”

Top Channel