“Nuk ka paqe pa Ukrainën në tryezë”, Starmer flet pas samitit të Alaskës: Përfundimi i luftës, më pranë se kurrë! Të përfshihet dhe Zelensky

16/08/2025 19:26

Britania dukshëm ende beson në përpjekjet e presidentit Trump, për arritjen e paqes në Ukrainë, edhe pse ky i fundit mendon se tashmë topi është në fushën e Ukrainës dhe evropianëve, mbështetës stoik të Ukrainës.

Starmer, ndërkohë që beson se përfundimi i luftës është më pranë se kurrë më parë, pas përpjekjeve të Trump, nënvizon se pa Zelenskin në tryezën e bisedimeve nuk do ketë paqe.

Përmes Zelenskit, pikëpamjet e evropianëve do jenë një përforcim i qëndrimit dhe zgjidhjeve të ofruara nga Evropa dhe Britania mes tyre, krahas interesave amerikane në bisedimet direkte mes Trump dhe Putin, që nuk është se janë vetëm për Ukrainën, por edhe për çështje të tjera me interes të madh ekonomik për Amerikën dhe Rusinë.

Britanikët kërkojnë shtrëngimin e presionit ndaj makinerisë ruse të luftës, për t’i dhënë fund sulmeve barbare ruse ndaj Ukrainës. Sakaq, kërkojnë dhe këmbëngulin se paqja do duhet patjetër të përfshijë garancitë e sigurisë të dhëna nga amerikanët, përfshirje e cila është pjesë kryesore e këtyre garancive.

Një armëpushim pa këto garanci, sipas britanikëve, do jetë thjesht një mundësi tjetër për Putinin të iki vështirësive që ka dhe të riarmatose më shumë Rusinë, pasi Putinit nuk i duhet besuar në çfarë deklaron.

Amerikanët, bashkë me evropianët, sipas Trumpit pas bisedimeve telefonike me ta pas samitit të Alaskës, janë mirë të shkohet direkt në një marrëveshje paqësore sesa në një armëpushim të përkohshëm, i cili rrallë respektohet.

Të pyetur nëse një fakt i tillë është i saktë, zyra e Kryeministrit britanik Starmer, Downing Street, tha se gjëja kryesore është të sigurohemi që luftimet pushojnë në mënyrë të atillë, që më pas të shkojmë drejt një paqeje të qëndrueshme, me ç’kuptohet me arsyetimin që të shmangen viktima të reja në konflikt.

E nëse kjo paqe do nënkuptojë shkëmbim territoresh në emër të saj, dhe pasje apo jo të garancive të forta të sigurisë nga amerikanët për vitet dhe dekadat e ardhshme në Ukrainë, ky mbetet rebusi më i madh për muajt në vazhdim, ashtu si edhe se çfarë do mund të bëjë Evropa, apo sakrifikojë apo edhe përfshihet, në rast se paqja nuk arrihet dhe bisedimet dështojnë.

Top Channel