“Një diktator përkrah njeriut më të fuqishëm në botë”/ Analiza e Sky News: Putini foli sikur të ishte mikpritësi në Alaskë, sjellja e Trump…

16/08/2025 20:00

Takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, që ishin dje përballë njëri-tjetrit për herë të parë pas gjashtë vitesh, pritej të kishte një ndikim të rëndësishëm në luftën në Ukrainë.

Të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin me një shtrëngim duarsh pasi zbritën nga avionët e tyre në bazën ushtarake në Anchorage të Alaskës dhe Trump i buzëqeshur madje duartrokiti Putinin, teksa ky i fundit i afrohej, nis analizën për takimin historik Sky News.

Pas bisedimeve, të dy udhëheqësit e përshkruan samitin si produktiv, por thanë se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje dhe se fjala armëpushim nuk u përmend nga asnjëri. Ata nuk pranuan pyetje nga gazetarët, duke lënë pas akoma më shumë pikëpyetje.

‘Pyetja e parë: cili është pengesa më e rëndësishme?’

Nëse do të kishin përmendur një armëpushim, kjo do të kishte ndryshuar natyrën e diskutimit, thotë korrespondenti amerikan James Mattheës. Duket se jemi larg një armëpushimi, thotë ai.

Deklarata e Putinit për shkaqet themelore, që kjo marrëveshje të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë, duhet të eliminojë shkakun kryesor, duke marrë parasysh të gjitha shqetësimet legjitime të Rusisë. Që Putini të qëndrojë në atë skenë përkrah Trumpit dhe të ketë vetëbesimin ta artikulojë këtë, bie ndesh me presidentin amerikan, thotë korrespondenti, ndëkrohë që ky qëndrim është i papranueshëm për Ukrainën.

Sa për Trumpin, ai e vlerësoi lart takimin, e quajti shumë produktiv. Ai theksoi anët pozitive, por brenda kishte edhe anë negative. Ai tha se ka shumë pika për të cilat biem dakord, por ka edhe shumë pika që ende nuk janë rënë dakord, disa jo të rëndësishme, njëra është shumë e rëndësishme.

Sigurisht, pyetja e parë do të kishte qenë, nëse do t’u kishin bërë pyetje, cila është pengesa më e madhe? Dhe çfarë do të bëni në lidhje me këtë?

Në takim dhe në deklaratat e secilit më pas, patëm një ndjesi për Putinin si lojtar, u duk sikur ia ka dalë ta bindë Donald Trumpin dhe të angazhohet me të si një mik të vjetër… kështu dukej, miku i vjetër që e ka ftuar përsëri në Moskë, shkruan korrespondenti i Sky News.

‘Një diktator që ecën përkrah njeriut më të fuqishëm në botë’

Donald Trump zbarkoi në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson me aspiratën për t’u larguar disa orë më vonë, i cilësuar si një paqeruajtës dhe ndërmjetës marrëveshjesh, thotë korrespondentja amerikane Martha Kelner.

Në vend të kësaj, ai ikën në Uashington pasi ka lejuar një shtetas në kërkim ndërkombëtar të kthehet në vendin e tij dhe me sa duket ka marrë shumë pak në këmbim.

Nëse Putini do të qëndronte në pistën e shumë aeroporteve të botës, teorikisht mund të prangosej menjëherë, pasi kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte të dyshuara, përfshirë edhe rrëmbimin e dyshuar të fëmijëve ukrainas.

Në vend të kësaj, qilimi i kuq u shtrua për të në Anchorage. U organizua një fluturim me avionë luftarakë F-35, të njëjtët aeroplanë që ngrihen rregullisht në ajër për të kapur avionë rusë që operojnë pranë brigjeve të Alaskës. Anëtarë të ndryshëm ushtarakë u rreshtuan për ta përshëndetur.

Pastaj erdhi momenti më i habitshëm nga të gjithë. Krahas Trump, Putin u ngjit te “Bisha”, limuzina e blinduar rëndë e presidentit amerikan. Një diktator, i cili pushtoi një komb sovran tre vjet e gjysmë më parë dhe që atëherë ka qenë në izolim, duke qëndruar përkrah njeriut më të fuqishëm në botë në një bazë ushtarake amerikane. Nuk është çudi që ai po buzëqeshte në sediljen e pasme, vijon Sky News.

‘Putini foli sikur të ishte mikpritësi’

“Ishte një nga konferencat më të pazakonta për shtyp në të cilat kam marrë pjesë”, thotë korrespondenti i Moskës Ivor Bennett, i cili udhëtoi me delegacionin rus në Alaska.

“Para së gjithash, ata thanë se ranë dakord për shumë pika, por ne nuk e dimë se cilat janë ato. Na u tha se do të ishte një konferencë e përbashkët për shtyp, por nuk u bë. Nuk pati pyetje. Kjo duhet të jetë hera e parë dhe e vetme që Donald Trump nuk ka pranuar asnjë pyetje nga shtypi. Dhe kjo ndoshta sepse Vladimir Putin e bëri këtë një kusht”, thotë korrespondenti.

“Ajo që ishte vërtet interesante ishte fakti që Vladimir Putin foli i pari në konferencën për shtyp. Ishte sikur të ishte Putin mikpritësi dhe jo Donald Trump.”

Edhe pse slogani pas tij thoshte ‘Në kërkim të paqes’, dukej sikur po ndiqte diçka tjetër. Ai foli për historinë e përbashkët midis dy vendeve e për nevojën për të rregulluar marrëdhëniet dypalëshe, sepse ato kanë rënë në pikën e tyre më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Dhe pati shumë lajka për përpjekjet e Donald Trump për të gjetur paqe.

Por ne ende nuk e dimë, thotë gazetari i Sky News se çfarë është rënë dakord. Nuk duket sikur Vladimir Putin ka bërë ndonjë lëshim, pavarësisht se Donald Trump pretendon se shumë pika janë rënë dakord atje.

‘Takimi mbi qilimin e kuq irritoi ukrainasit’

Redaktori i çështjeve ndërkombëtare, Dominic Waghorn, që raportoi për Sky News nga Kievi, thotë se njerëzit janë të tërbuar nga pritja me tapet të kuq që iu ofrua Putinit nga ekipi i Trump.

Imazhet e ushtarëve amerikanë në gjunjë, duke shpalosur qilimin e kuq në shkallët e avionit të udhëheqësit rus, janë bërë virale. Mediat sociale janë mbushur me tërbim, zemërim dhe neveri, thotë ai. Ka mënyra të ndryshme për të mirëpritur një udhëheqës botëror në këtë lloj eventi, dhe Trump ka bërë çmos për t’i dhënë një mirëseardhje të madhe Putinit, gjë që po i bie në sy ukrainasve.

Top Channel