
Momenti kur presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin pozuan për kamerat përpara samitit në Alaska u shndërrua në një skenë kaotike, teksa gazetarët nisën t’i drejtojnë pyetje të ashpra liderit rus.
Në përpjekje për të shmangur përgjigjet, Putin reagoi me të bërtitura dhe ironi, ndërsa Trump u pa i tensionuar dhe i pëshpëriti diçka ndihmësit të tij.
Samiti i nivelit të lartë nisi me tone pozitive. Të dy liderët u takuan në pistën e bazës ushtarake në Anchorage, ku shkëmbyen një shtrëngim duarsh dhe buzëqeshje. Putin i dha Trump-it një “ok” me gishtin e madh ndërsa të dy hipën më pas në veturën presidenciale “The Beast” për një udhëtim të shkurtër vetëm, pa përkthyes apo ndihmës.
Brenda ambienteve të samitit, gjatë momentit të pozimit përpara kamerave, situata doli shpejt jashtë kontrollit. Gazetarët filluan t’i drejtonin pyetje të forta Putinit lidhur me luftën në Ukrainë, duke i thënë:
“A do ndaloni së vrari civilë?” “Si mund t’ju besojë SHBA-ja?”
Putin, me një buzëqeshje ironike, reagoi duke i bërtitur gazetarëve, duke tentuar t’i mbulojë me zërin e tij. Kamera e ndërpreu transmetimin teksa zhurma në sallë po rritej.
Sipas një eksperte të leximit të buzëve për The Sun, Putin dyshohet se u tha gazetarëve: “Jeni injorantë.” Ndërkohë, Trump u pa duke pëshpëritur ndihmësit të tij që “nuk ndihej rehat” me situatën.
Ndërsa atmosfera u acarua, Shtëpia e Bardhë njoftoi se samiti do të zhvillohet në format “3 me 3”. Trump ishte i shoqëruar nga senatori Marco Rubio dhe këshilltari i posaçëm Steve Witkoff. Nga ana tjetër, Putin solli ministrin e jashtëm Sergei Lavrov dhe këshilltarin e tij për politikë të jashtme, Yuri Ushakov.
Top Channel