
Air Canada ka pezulluar të gjitha fluturimet e saj pasi sindikata e stjuardesave nisi grevën e përgjithshme, duke shkaktuar kaos në udhëtimet e rreth 130 mijë pasagjerëve çdo ditë.
Sindikatat që përfaqësojnë mbi 10 mijë punonjës të kabinës konfirmuan nisjen e grevës në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Si pasojë, kompania njoftoi se ka ndërprerë të gjitha operacionet, përfshirë edhe linjat e saj buxhetore Air Canada Rouge, dhe u bëri thirrje pasagjerëve të prekur që të mos paraqiten në aeroport nëse nuk udhëtojnë me një kompani tjetër.
Stjuardesat kërkojnë rritje page dhe shpërblim edhe për kohën kur avionët qëndrojnë në tokë, duke theksuar se aktualisht nuk paguhen për orët e pritjes apo të imbarkimit. Sipas Air Canada, greva do të ndikojë në rreth 500 fluturime në ditë.
Qindra pasagjerë janë parë duke kërkuar rezervime të reja në aeroportet kryesore kanadeze, ndërsa sindikata ka nisur protestat me pankarta jashtë terminaleve.
Kompania ka bërë të ditur se fluturimet e Air Canada Jazz, PAL Airlines dhe Air Canada Express nuk preken nga greva. “Air Canada shpreh keqardhjen e thellë për pasojat që kjo grevë ka për klientët tanë,” u shpreh linja ajrore në një deklaratë.
Të premten në mbrëmje, Air Canada kishte anuluar 623 fluturime, duke prekur mbi 100 mijë pasagjerë, në kuadër të uljes graduale të operacioneve para nisjes së grevës.
Në negociata, kompania ka ofruar një rritje prej 38% të paketës së përgjithshme të shpërblimit gjatë katër viteve, përfshirë 25% në vitin e parë. Por sindikata e fluturimeve (CUPE) e cilësoi këtë propozim “nën inflacionin, nën vlerën reale të tregut dhe poshtë pagës minimale”, duke theksuar se shumë orë pune do të mbeten sërish të papaguara.
Më herët këtë muaj, 99.7% e punonjësve të përfaqësuar nga sindikata votuan pro grevës. Ministrja kanadeze e Punës, Patty Hajdu, u bëri thirrje palëve që të rikthehen në tryezën e bisedimeve për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ndërkohë që kompania ka kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për arbitrazh.
Sindikata, megjithatë, ka akuzuar Air Canada se nuk ka negociuar me mirëbesim për më shumë se tetë muaj dhe se ka tentuar të shmangë marrëveshjen duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë.
Top Channel