
Federico Chiesa, me golin e tij të parë ndonjëherë në Premier League (dhe të tretin me fanellën e “reds”), i dhuroi fitoren Liverpool-it në hapje të kampionatit.
Pas homazhit emocionues për Diogo Jotën, skuadra e Slot kaloi përpara me Ekitiké dhe dyfishoi me Gakpo, përpara se Bournemouth të realizonte një përmbysje të papritur me dopietën e Semenyo. Chiesa hyri nga stoli dhe shënoi golin vendimtar 3-2 në minutën e 88’. Në fund, Salah vulosi pokerin.
“Mendimi shkon për familjen e Diogo Jotës, më pëlqen të besoj se nga atje lart më ndihmoi ta shtyja topin brenda”, tha Chiesa pas golit të tij të parë në Premier League me fanellën e Liverpool-it. Ai i bën një dedikim shokut të skuadrës që ka ndërruar jetë. “Sot ishte me të vërtetë shumë prekëse: ta mbyllje ndeshjen duke fituar kështu ishte një emocion i madh”.
“Goli më shpërblen për punën e bërë. Kam ardhur në kushte të vështira sepse nuk jam stërvitur me Juven dhe kjo më ka penalizuar – tha sulmuesi. – Pas një viti po marr disa kënaqësi. Falënderoj mjekët dhe trajnerin që më dha këtë shans dhe që gjithmonë është sjellë në mënyrë të shkëlqyer me mua, goli është edhe për të”.
Dhe për të ardhmen: “Do të flasim me Liverpool-in, por unë jam i lumtur këtu, jam në një nga skuadrat më të forta në botë. Jam i gëzuar që vesh këtë fanellë. Unë duhet të jem gjithmonë gati dhe të tregoj që mund të luaj në këtë skuadër”.
Top Channel