
West Ham e nisi Premier League-n me një disfatë të rëndë 3-0 ndaj Sunderland, duke ndezur pakënaqësinë e tifozëve që tashmë po kërkojnë largimin e trajnerit Graham Potter.
Skuadra e “Hammers” u shkatërrua në pjesën e dytë nga golat e Eliezer Mayenda, Daniel Ballard dhe Wilson Isidor, duke i dhënë Sunderland-it, të sapo ngjitur në elitë, një rikthim ëndrrash në Stadium of Light dhe kreun e tabelës pas javës së parë.
Ndërkohë, për West Ham kjo humbje ishte një tjetër dëshmi se ekipi është larg pritshmërive. Zemërimi i tifozëve shpërtheu në rrjetet sociale me komente të ashpra ndaj trajnerit.
Një prej tyre shkruante: “Potter duhet të largohet sonte, ky është një fillim katastrofik”. Një tjetër shtonte: “Nuk e shoh Graham Potter-in të mbërrijë në mes të sezonit”.
Kritikat ishin edhe më të ashpra nga të tjerë tifozë që e quajtën “të turpshme” humbjen ndaj Sunderland, duke theksuar se trajneri nuk ka ide si t’i zgjidhë problemet e mbetura prej sezonesh. Madje një prej tyre deklaroi: “Potter do të shkarkohet para dhjetorit”.
Statistikat gjithashtu nuk flasin në favor të tij. Që prej marrjes së drejtimit të West Ham, Potter ka drejtuar 19 ndeshje në Premier League, duke fituar vetëm pesë – dy prej tyre ndaj skuadrave të rëna nga kategoria, Ipswich dhe Leicester. Përqindja e fitoreve është vetëm 25% në të gjitha kompeticionet, më e ulëta në historinë e klubit për një trajner me mbi 20 ndeshje të drejtuara.
Situata pritet të bëhet edhe më e vështirë, pasi në kalendarin e ardhshëm West Ham ka përballje të forta kundër Chelseat, Nottingham Forest dhe Tottenham-it.
Top Channel