
Një grup prej 96 deputetësh ndërpartiakë i ka bërë thirrje qeverisë britanike të sjellë pa vonesë fëmijët e sëmurë dhe të plagosur nga Gaza në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim mjekësor emergjent, për shkak të rrezikut të menjëhershëm për jetën e tyre dhe kolapsit të sistemit shëndetësor në territorin palestinez.
Në një letër drejtuar ministrave të Shëndetësisë, Punëve të Jashtme dhe të Brendshme, deputetët theksojnë se infrastruktura jetike në Gaza është “shkatërruar”, ndërsa mungesa e ushqimit, ujit dhe medikamenteve ka krijuar një katastrofë humanitare dhe mjekësore me përmasa të tmerrshme.
Ata kërkuan heqjen e të gjitha pengesave burokratike, përfshirë procedurat biometrike, dhe propozuan që evakuimi të bëhet mbi bazën e domosdoshmërisë klinike, pa u ndikuar nga interesa politike apo financiare.
Deputetët po punojnë me organizatën bamirëse Mjekët pa Kufij (MSF) për të mundësuar evakuimin e menjëhershëm të fëmijëve me lëndime të rënda nga trauma apo sëmundje të rënda.
Një zëdhënës i qeverisë britanike tha se një taskforcë ndërpartiake po punon për zbatimin e planit të evakuimit dhe se fëmijët që kërkojnë kujdes emergjent do të mund të dërgohen në Britani për trajtim të specializuar.
Megjithatë, nuk është dhënë ende një numër i saktë i fëmijëve që do të evakuohen. Vlerësimet flasin për disa qindra raste.
Top Channel