Barcelona e nis sezonin e ri ashtu si mbylli të vjetrin! Fitore bindëse kundër Mallorcas, Yamal shkëlqen me supergol dhe asist

16/08/2025 21:44

Barcelona ka marrë një fitore të pastër 0-3 në fushën e Mallorcës, duke nisur mbrojtjen e titullit në mënyrën më të mirë.

Skuadra e Flick e zgjidhi ndeshjen që në pjesën e parë, falë dy golave të shpejtë.

Në minutën e 7’, Raphinha realizoi golin e parë pas një asistimi nga talenti Lamine Yamal. Vetëm 16 minuta më vonë, në të 23’, ishte radha e Ferran Torres të dyfishonte avantazhin, duke çuar rezultatin në 0-2.

Mallorca u gjend në vështirësi të mëdha pas dy kartonëve të kuq: Morlans u përjashtua në minutën e 39’, ndërsa vetëm pak sekonda më pas edhe sulmuesi shqiptar Vedat Muriqi u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it, duke e lënë skuadrën vendase me nëntë lojtarë.

Barcelona menaxhoi lojën deri në fund dhe, në minutat shtesë, Lamine Yamal vulosi triumfin me një gol personal, duke e kthyer mbrëmjen në një spektakël për blaugranat.

Me këtë fitore 0-3, Barcelona merr tre pikë të arta dhe konfirmon se është ende pretendetja kryesore për titullin e La Ligës.

REZULTATI:

MALLORCA 0-3 BARCELONA

Raphinha 7’, Ferran Torres 23’, Yamal 90+4’

Top Channel