
Vladimir Putin është nisur drejt Alaskës për takimin kokë më kokë me homologun amerikan Donald Trump, dhe bisedime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme për fundin e konfliktit gati 4-vjeçar në Ukrainë.
Por takimi i sotëm nga i cili Kievi është përjashtuar-, po ndiqet me shqetësim nga ukrainasit. Liderët europianë, të cilët gjithashtu janë lënë jashtë bisedimeve, druhen se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i minojë aftësitë e Europës për ta mbështetur vendin e përballur me agresionin e Rusisë.
Për shumëkënd, bisedimet e drejtpërdrejta me Uashingtonin – ku nuk është ftuar Ukraina – kujtojnë Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Britania pothuajse ndanë mes tyre Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë një takimi me zyrtarë të lartë të Kremlinit, Putini shfaqi optimizëm për takimin në Alaskë dhe sugjeroi se një marrëveshje e re për kontrollin e armëve mund të jetë në proces. Shtëpia e Bardhë po bën “përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndaluar armiqësitë” dhe për të “arritur marrëveshje që janë me interes për të gjitha palët e përfshira”, tha ai.
Por pretendimet e Trumpit se për t’i dhënë fund konfliktit Moska dhe Kievi do të duhet të shkëmbejnë territore, kanë shqetësuar thellësisht ukrainasit, të cilët nuk zotërojnë asnjë pjesë toke të Rusisë.
Top Channel