
Vladimir Putin mblodhi pothuajse të gjitha figurat kryesore të shtetit në Kremlin për t’i informuar dhe për t’i përfshirë në vendime që në fund do t’i marrë vetëm ai, shkruan media italiane.
Ndër të pranishmit ishin edhe anëtarët e delegacionit për në Alaskë, të bërë publik nga këshilltari i presidentit për politikën ndërkombëtare, Yuri Ushakov, që do të jetë pjesë e delegacionit.
Për herë të parë që nga fillimi i luftës, në një takim me temën “Ukrainë” mori pjesë edhe ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Andrey Belousov, sipas Corriere.
Grupi u plotësua nga ministri i Financave Anton Siluanov dhe shefi i Fondit të Investimeve të Drejtpërdrejta, Kirill Dmitriev, i njohur në Moskë si “Amerikani” – me studime në Harvard dhe figurë kyçe në negociatat me administratën amerikane.
Përveç tyre, në takim ishin praktikisht të gjithë: Vladimir Medinsky, ish-ministri i Kulturës dhe përfaqësues i delegacionit rus në bisedimet e dështuara të Stambollit, drejtuesit e Forcave të Armatosura, disa ministra, krerë të shërbimeve sekrete, drejtues të parlamentit dhe të stafit presidencial.
Asnjëherë më parë pushteti rus nuk ka qenë kaq i përqendruar jashtë Moskës – një tregues i natyrës së papritur të samitit në Alaskë. Përveç Putinit, jashtë vendit do të jenë edhe dy figurat e tjera kryesore të shtetit: kryeministri Mikhail Mishustin që do të vizitojë Kirgistanin dhe kryetari i Dumës, Viacheslav Volodin, që është mysafir nderi në Phenian.
Para mbylljes së dyerve, Putin mbajti një fjalim të shkurtër. Edhe heshtja e ditëve të mëparshme ishte pjesë e ritualit të zakonshëm me moton “gjithçka është nën kontroll”.
Ai deklaroi: “Administrata aktuale amerikane po bën përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndalur armiqësitë dhe për të arritur marrëveshje që përfaqësojnë interesin e përbashkët të të gjitha palëve të përfshira në konflikt, me qëllim krijimin e kushteve të qëndrueshme për paqe mes vendeve tona. Kjo jo vetëm në Europë, por edhe në nivel global, nëse do të arrihet më tej në marrëveshje mbi kontrollin e armëve strategjike ofensive.”
Top Channel