
Takimi mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin do zhvillohet në një vend që ka ngritur shumë pikëpyetje: baza ushtarake amerikane Joint Base Elmendorf-Richardson, në Anchorage, Alaska.
E vendosur në kufirin verior të qytetit më të populluar të Alaskës, kjo është baza më e madhe ushtarake në shtet dhe një vend me rëndësi të veçantë historike dhe strategjike.
Gjatë Luftës së Ftohtë, baza shërbente si pikë kyçe për mbrojtjen ajrore të SHBA-së dhe si një qendër komanduese për t’u përballur me çdo kërcënim të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik.
Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, arsyet e sigurisë ishin vendimtare në përzgjedhjen e kësaj baze si vendtakimi për liderët. Pozicioni i saj i izoluar, infrastruktura ushtarake e avancuar dhe kapacitetet për kontroll të plotë të perimetrit janë ndër faktorët kryesorë që e bëjnë këtë vend ideal për bisedime të nivelit të lartë.
Trump e ka vizituar këtë bazë më parë, gjatë mandatit të tij në vitin 2019, ku e quajti “vijën e parë të mbrojtjes së Amerikës” në “kufirin e fundit të vendit”. Me një sipërfaqe prej 64,000 hektarësh, Joint Base Elmendorf-Richardson luan një rol të rëndësishëm në gatishmërinë ushtarake të SHBA-së në Arktik.
Në kulmin e funksionit të saj, në vitin 1957, baza strehonte 200 avionë luftarakë dhe përmbante një rrjet të gjerë radarësh dhe sistemesh paralajmëruese të hershme.
Megjithëse vendi i takimit mund të duket i pazakontë për një ngjarje diplomatike të këtij niveli, për autoritetet amerikane është një vend strategjikisht i zgjedhur për të garantuar siguri maksimale, veçanërisht përballë historikut kompleks mes dy vendeve.
Top Channel