Pas Kashmirit, përmbytjet godasin edhe Pakistanin! 164 viktima nga tragjedia natyrore që ka goditur të dyja vendet

15/08/2025 15:46

Të paktën 164 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit si pasojë e përmbytjeve të rënda dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga reshjet intensive të musonit në Pakistan dhe në rajonin e Kashmirit të administruar nga Pakistani.

Sipas autoriteteve të menaxhimit të fatkeqësive, rreth 150 viktima janë shënuar në provincën malore Khyber Pakhtunkhwa, në veri të Pakistanit, ndërsa 30 shtëpi janë shkatërruar plotësisht.

Situata është bërë edhe më tragjike nga rrëzimi i një helikopteri shpëtimi që po dërgohej në ndihmë në zonë, ku humbën jetën të pesë anëtarët e ekuipazhit, shkruan BBC.

Ndërkohë, nëntë persona të tjerë kanë humbur jetën në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe pesë në rajonin Gilgit-Baltistan, gjithashtu në veri të vendit.

Autoritetet pakistaneze kanë paralajmëruar se reshjet e dendura pritet të vijojnë deri më 21 gusht, ndërsa disa rajone në veriperëndim janë shpallur zona fatkeqësie. Alarmet për shi të rrëmbyeshëm mbeten në fuqi.

Kryeministri i provincës Khyber Pakhtunkhwa, Ali Amin Gandapur, konfirmoi se helikopteri M-17 u rrëzua për shkak të motit të keq ndërsa po fluturonte drejt Bajaur, një zonë pranë kufirit me Afganistanin.

Pamje nga Bajaur tregojnë ekskavatorë që kërkojnë mes baltës, ndërsa dhjetëra qytetarë të mbledhur aty falin lutje pranë trupave të pajetë të mbuluar me batanije.

Ndërkohë, në pjesën e Kashmirit të administruar nga India, të paktën 60 persona kanë vdekur pas përmbytjeve që përfshinë një fshat në Himalaje, duke zhdukur dhjetëra të tjerë.

Stina e musonit, që zgjat nga qershori deri në shtator, sjell rreth 75% të reshjeve vjetore në Azinë Jugore. Këtë vit, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë marrë më shumë se 300 jetë njerëzish deri tani.

Në muajin korrik, provinca Punjab, ku jeton gati gjysma e popullsisë së Pakistanit (255 milionë banorë), ka regjistruar 73% më shumë reshje sesa vitin e kaluar, duke sjellë edhe më shumë viktima se në gjithë sezonin e kaluar të musonit.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e bëjnë motin më ekstrem dhe më të shpeshtë, me pasoja gjithnjë e më të rënda për jetët dhe infrastrukturën në vendet e prekura.

Top Channel