
Manchester United është gati t’i japë dritën jeshile huazimit të Rasmus Hojlund te AC Milan, teksa sulmuesi danez pritet të rikthehet në Serie A, vetëm dy vite pasi u transferua nga Atalanta për 72 milionë paund.
Hojlund është i hapur ndaj kësaj lëvizjeje, pasi “Djajtë e Kuq” kanë investuar mbi 200 milionë paund këtë verë për të përforcuar repartin ofensiv, përfshirë transferimin e Benjamin Sesko nga RB Leipzig për 73.7 milionë paund. Pas kësaj lëvizjeje, e ardhmja e 22-vjeçarit në “Old Trafford” është vënë seriozisht në pikëpyetje.
Megjithëse Hojlund kishte treguar formë të mirë në përgatitjet parasezonale, veçanërisht në fitoren 4-1 kundër Bournemouth në Chicago, dhe kishte shprehur dëshirën për të luftuar për një vend në skemën 4-3-2-1 të trajnerit Ruben Amorim, situata ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dy javëve të fundit.
Bisedimet midis AC Milan dhe përfaqësuesve të lojtarit janë në zhvillim, me klubin italian që ka ofruar një tarifë huazimi prej 4.5 milionë paund dhe një opsion blerjeje prej 39 milionë paund për verën e ardhshme.
Por Milan nuk është i vetmi klub i interesuar. Edhe Fulham ka shfaqur interes për Hojlund, sidomos tani që sulmuesi i tyre Rodrigo Muniz është bërë objektiv i Atalanta-s. Megjithatë, klubi nga Londra dëshiron garanci se lojtari është i përkushtuar për të pasur sukses në “Craven Cottage”.
Në ndeshjen e fundit miqësore të United ndaj Fiorentinës, Hojlund nuk u aktivizua, në një fundjavë që përkoi me prezantimin madhështor të Sesko-s para 65,000 tifozëve në “Old Trafford”.
Tashmë, mbetet të shihet nëse destinacioni i radhës për Hojlund do të jetë rikthimi në Itali apo një sfidë e re në Londër.
Top Channel