
Një divorc i tensionuar po trondit marrëdhëniet mes Ademola Lookman dhe klubit italian Atalanta, me situatën që po kalon kufijtë e Serie A dhe ka tërhequr vëmendjen e Federatës Afrikane të Futbollit (CAF).
Sipas raportimeve të African Hub, CAF, përmes legjendës së futbollit afrikan Didier Drogba, ka mbërritur në Itali gjatë orëve të fundit për të ndërhyrë në mbrojtje të fituesit aktual të Topit të Artë Afrikan. Federata ka dorëzuar një peticion prej 50 faqesh pranë Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ku kërkon që çështja e transferimit të Lookman të trajtohet në mënyrë “të drejtë dhe transparente”.
Ky veprim vjen pas javësh tensionesh dhe konflikti të plotë mes lojtarit dhe klubit bergamask, ku marrëdhënia mes palëve duket se ka hyrë në një rrugë pa kthim. Burime pranë CAF-it shprehen se ekziston frika reale që Lookman të përfundojë i “ngrirë”, pa luajtur për një kohë të pacaktuar, gjë që do të ishte një goditje jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për imazhin e futbollit afrikan.
Didier Drogba, si përfaqësues zyrtar i CAF në këtë ndërhyrje, ka marrë përsipër të negociojë zgjidhjen e situatës, duke theksuar se është e papranueshme që një lojtar me këtë profil të mbahet jashtë fushave për shkak të përplasjeve me klubin.
Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, rasti pritet të marrë përmasa më të mëdha edhe në arenën ndërkombëtare. Për momentin, as Atalanta dhe as FIGC nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj peticionit të CAF-it. Situata mbetet në zhvillim.
Top Channel