“Kam ende thasët me letra nga fansat”, rrëfehet legjenda e Italisë së 1982, Antonio Cabrini: Sot loja është ndryshe, portieri e kap topin 70 herë gjatë ndeshjes

15/08/2025 07:22

Sezone të paharrueshme. “Isha 18, 20 vjeç. Po bëhesha i njohur.” Antonio Cabrini ka qenë një simbol i futbollit italian — i bukur, i aftë, fitues titujsh. Por në një moment u largua nga futbolli. “Për hir të Zotit, nëse më thërrasin për një emision televiziv nuk them jo, por ndeshje shoh pak.”

A ju mërzit futbolli?

“Një portier që prek topin 70 herë në një ndeshje për mua është e papranueshme. Unë kam një ide ndryshe, por nuk dua të tingëlloj si i vjetër. Janë thjesht mendimet e mia, nuk them që ky futboll është më i keq se i imi. Thjesht them që është ndryshe dhe unë nuk ndihem mirë me të. Jam i dyzuar, si shumë të tjerë. Futbolli megjithatë lëviz shumë interesa, është një industri dhe duhet të merret parasysh edhe kjo. Bota ime ishte ndryshe.”

Megjithatë ju keni qenë një nga të parët që krijuat një imazh dhe u hodhët në reklama.

“E vërtetë. Tërë merita e Vitale-s, atëherë pronar i Robe di Kappa. U takuam një ditë pas Botërorit të ’82 dhe më tha: ‘Ti je perfekt’. Fillova me markën e tij, pastaj më kontaktuan marka të tjera.”

Ju pëlqente?

“Po. Pastaj erdhën Paolo Rossi dhe jo vetëm ai. Mendoj se i hapa rrugën të tjerëve.”

Ndoshta edhe sepse ishit i bukur. A është e vërtetë që ende keni thes me letra nga fansat?

“Gjëra të dyzet viteve më parë, edhe më shumë. Mendoj se nuk do t’i hap kurrë. I kam në kasolle, te mamaja ime. Janë gjëra të së kaluarës dhe nuk është e drejtë t’i rikthej.”

A ndiheshit i lëvduar nga kaq shumë vëmendje?

“Më shumë i habitur. Por e dini, pas një Botërori të fituar, figurat Panini, televizionet… ishte normale.”

A ju mungon diçka nga ajo periudhë?

“Koha kalon. Ne kampionët e ’82 kemi një grup chat, jemi gjithmonë në kontakt. Por pastaj, në jetë, bën gjëra të tjera dhe duhet të pranosh ndryshimet.”

Koha është mik apo armik?

“Koha ekziston dhe unë përpiqem ta shijoj. Bëj gjëra që kur isha i ri nuk mund t’i bëja, si të udhëtoj më shumë ose të shijoj verat në plazh. Kur luaja, vera mbaronte shpejt sepse shkonim në grumbullim.”

Megjithatë, nga futbolli nuk ju mungon asgjë…

“Më mungojnë miqtë. Futbolli im ishte argëtues, kishte kontakt njerëzor. Te Juventusi stërviteshim në një fushë vetëm pak hapa larg stadiumit, mes nesh dhe tij kishte vetëm një rrugë, corso Sebastopoli, për ta kaluar. Kishte tifozë, 15-20 vetë, që na prisnin çdo ditë, marrëdhënia ishte e drejtpërdrejtë, bisedonim. Tani mes tifozëve dhe lojtarëve ka distancë. Por e përsëris, ishte një botë tjetër dhe e kuptoj.”

Keni folur për miq. Keni qenë shok dhome me Paolo Rossi për vite.

“Dhjetë, për saktësi, në Kombëtare. Ishte një person i mrekullueshëm, përveçse një kampion i madh. Kishte cilësi të jashtëzakonshme, pavarësisht trupit të brishtë. Por ishte bukur ta njihje edhe jashtë futbollit. Kur lojërat përfundonin, flisnim pak për topin. Kishte shaka, shumë të qeshura. Paolo ishte një tip argëtues.”

Miqësi të tjera nga bota juaj e kaluar?

“Miku më i afërt është Cesare Prandelli, jemi rritur thuajse bashkë. Më pëlqen sepse është një njeri i drejtpërdrejtë, që shikon punën. Filluam te Cremonese, u ritakuam te Juventusi. Kisha një marrëdhënie të mirë edhe me Manuelën, bashkëshorten e tij që nuk jeton më. Tani unë dhe Cesare menaxhojmë bashkë katër fusha padeli në Cremona.”

Ja pra, padeli. Pasioni juaj i fundit.

“I imi dhe i shumë ish-futbollistëve që argëtohen dhe kanë gjetur një aktivitet fizik që i bën të ndihen ende në formë. Për më tepër, janë gjithmonë konkurrues, janë njerëz që kënaqen duke luftuar dhe nuk duan të humbin. Për këtë arsye, padeli për ta funksionon.”

Nga fëmijëria juaj, çfarë kujtoni?

“Lirinë. Luhej në oborr nga mëngjesi deri në mbrëmje, askush nuk kishte frikë nga asgjë. Sot, nëse një fëmijë largohet disa metra, me të drejtë të kap paniku.”

Figura që ka pasur më shumë rëndësi për ju në futboll?

“Trajneri im i parë te Cremonese, Nolli. Ishte ai që më vendosi si mbrojtës krahu. Një ditë mungonte mbrojtësi i majtë dhe më tha: bëje ti. I thashë që isha anësor sulmues dhe ai më tha: s’ka problem, je i mirë edhe aty. Pranova vetëm që të luaja dhe kështu filloi historia ime. Në futboll gjërat ndodhin edhe rastësisht.”

Keni luajtur mijëra ndeshje: cila është e preferuara?

“Edhe një episod nga vitet e rinisë: finalja e një turneu me ekipin e të rinjve të Cremonese-s. Mundëm Juven me penallti, aty ishin lojtarë që më pas bënë karrierë: Paolo Rossi, Marangon, Marocchino, Zanone. Shumë prej tyre i kam takuar sërish gjatë viteve. Kam pasur fatin të ndeshem shpesh në karrierë me të njëjtat fytyra, djem që e shihnin futbollin si unë.”

Është pak e çuditshme që mes kaq ndeshjesh kujtoni një nga koha kur ishit djalosh te Cremonese…

“Ishte suksesi im i parë në nivel kombëtar, diçka që të mbetet përgjithmonë. Pastaj, sigurisht, mund t’ju përmend finalen ndërkontinentale të fituar me Juven në Tokio. Por emocionet e asaj moshe janë të pashlyeshme.”

Cabrini, jeni i sigurt që koha është një mik?

“Unë di ta bëj, të kalojë shumë mirë.”

Top Channel