
Roma ka hyrë fuqishëm në skenën e merkatos këtë verë, duke ndjekur me ngulm dy objektiva të mëdhenj në repartin ofensiv: Jadon Sancho dhe Leon Bailey.
Trajneri Gian Piero Gasperini, i sapoardhur në krye të skuadrës verdhekuqe, ka kërkuar qartësisht përforcime në sulm, dhe drejtori sportiv Massara nuk ka humbur kohë.
Sipas raportimeve nga Italia, negociatat për Sancho janë shumë pranë përfundimit pozitiv. Roma ka arritur një marrëveshje me Manchester United, që përfshin një pagesë prej 23 milionë eurosh për kartonin e lojtarit.
Megjithatë, “po”-ja përfundimtare e vetë Sancho-s është ende në pritje, ndonëse lojtari shihet si një afrim i mundshëm shumë shpejt në “Olimpico”. Kujtojmë se për anglezin ka pasur interes edhe nga Juventusi, por Roma duket në epërsi.
Ndërkohë, në drejtim të Leon Bailey, sulmuesi xhamajkan që aktivizohet te Aston Villa, përparimi është konkret. Lojtari ka shprehur gatishmëri për transferim në kryeqytetin italian, dhe marrëveshja pritet të mbyllet në formën e një huazimi me të drejtë blerjeje.
Në sfond është përfshirë edhe Besiktas, por klubi turk nuk ka arritur të ofrojë kushtet e duhura. Kontaktet janë të vazhdueshme mes Massara-s dhe Monchi-t, ish-drejtorit sportiv të Romës që ka lidhje me palët në këtë operacion, për të finalizuar gjithçka sa më shpejt.
Roma synon të afrojë të dy lojtarët për të ndërtuar një sulm të frikshëm në sezonin e ri dhe për t’u rikthyer në elitën e futbollit italian e europian.
Top Channel