
Në një mbrëmje të ngarkuar emocionalisht, familja e Diogo Jotës pritet të jetë e pranishme në stadiumin Anfield, në hapjen e sezonit të ri për Liverpoolin kundër Bournemouth.
Kjo do të jetë dalja e parë publike e bashkëshortes së Jotës, Rute Cardoso, dhe tre fëmijëve të tyre, pas funeralit të sulmuesit dhe vëllait të tij, André Silva, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik në qershor, në Spanjën veriore.
Menaxheri i Liverpoolit, Arne Slot, në një adresim prekës për programin zyrtar të ndeshjes, tha: “Siç kam thënë më parë, homazhet që janë bërë në gjithë botën e futbollit, veçanërisht brenda komunitetit të LFC, kanë qenë vërtet të jashtëzakonshme. Besoj se sonte, bashkëshortja e Diogos, fëmijët dhe familja e tij do të jenë në Anfield dhe është e rëndësishme që si klub të tregojmë se ata gjithmonë do ta kenë dashurinë dhe mbështetjen tonë, ndërsa përballen me këtë humbje të pazëvendësueshme.”
Portreti i Jotës do të jetë në kopertinën e programit të ndeshjes, ndërsa numri i tij, 20, është zyrtarisht i tërhequr nga klubi në nder të kujtimit të tij.
Që nga tragjedia, Liverpool ka mbajtur një seri homazhesh për Jotën, përfshirë turneun para-sezonal në Azi, kthimin në Anfield dhe finalen e Community Shield ndaj Crystal Palace. Atmosfera në klub dhe në qytet vijon të jetë e prekur thellësisht, por është familja e tij ajo që ka përjetuar dhimbjen më të madhe.
Në një tjetër moment prekës, mesfushori Alexis Mac Allister i ka kushtuar një letër emocionale mikut të tij të ndjerë në The Players’ Tribune, duke ndarë kujtime të paharrueshme nga jeta brenda dhe jashtë fushës.
Pritet që Anfield të qëndrojë në heshtje respekti përpara ndeshjes së sotme, në një tjetër moment solidariteti për Jotën dhe familjen e tij.
Top Channel