Bregdeti sirian i përgjakur, të paktën 1400 të vrarë që nga marsi i këtij viti! OKB: Krime lufte të mundshme pas shpërthimit të dhunës

15/08/2025 23:02

OKB-ja ka paralajmëruar se krime lufte, përfshirë vrasje, tortura dhe ekzekutime të civilëve, ka të ngjarë të jenë kryer gjatë shpërthimit të dhunës në rajonet bregdetare të Sirisë në mars, ku mbetën të vrarë rreth 1,400 persona, shumica civilë.

Në një raport të publikuar nga Komisioni Hetimor i OKB-së për Sirinë thuhet se luftëtarë të lidhur me ish-regjimin e Bashar al-Assad dhe forca të qeverisë së përkohshme siriane janë përgjegjës për këto shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, megjithëse nuk u gjetën prova që autoritetet në Damask urdhëruan sulmet.

Dhuna shpërtheu në zemër të rajonit të banuar nga komuniteti alavit, pas përleshjeve midis forcave të sigurisë, të përbëra kryesisht nga sunitë, dhe mbështetësve të regjimit të kaluar, shumica alavitë. Ajo u shndërrua në një valë hakmarrjesh sektare.

Raporti dokumenton shkelje të rënda në 16 zona në provincat Latakia, Tartus, Homs dhe Hama. Sipas dëshmive, autorët hynin në shtëpi dhe identifikonin civilët alavitë përpara se të ekzekutonin burrat dhe djemtë, ndërsa në disa raste u vranë edhe gra dhe fëmijë.

“Shkalla dhe brutaliteti i dhunës është thellësisht shqetësuese,” tha Paulo Sérgio Pinheiro, kryetar i komisionit. “I bëjmë thirrje autoriteteve të përkohshme të kërkojnë llogaridhënie për të gjithë autorët, pavarësisht rangut apo përkatësisë.”

Raporti përshkruan gjithashtu akte çnjerëzore, si mbajtja e kufomave nëpër shtëpi nga frika e hakmarrjes dhe varrime masive në rrugë. Spitalet u mbushën përtej kapaciteteve, ndërsa mijëra civilë u detyruan të largohen drejt Libanit ose një baze ajrore ruse për siguri.

Sipas OKB-së, modelet e sulmeve tregojnë se dhuna nuk ishte e rastësishme apo e izoluar, por e organizuar dhe e qëllimshme. Hetimi bazohet në më shumë se 200 intervista dhe verifikim në terren.

 

Top Channel