
Planet e Izraelit për ngritjen e vendbanimeve të reja në Bregun Perëndimor, janë kritikuar ashpër nga BE-ja, Gjermania dhe Turqia.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u shpreh se pretendimi i shtetit hebre nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe u bëri thirrje autoriteteve izraelitetë mos i vazhdojnë punimet.
“Vendimi i autoriteteve izraelite për të çuar përpara planin e vendbanimeve E1 minon akoma edhe më tej zgjidhjen me dy shtete, ndërkohë që përbën edhe shkelje të ligjit ndërkombëtar. BE-ja përsërit thirrjen e saj ndaj Izraelit për të ndaluar ndërtimin e vendbanimeve të reja.”
Ministri i financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, që i përket ekstremit të djathtë, njoftoi se do të fillojë puna për ngritjen e një kolonie të vonuar prej kohësh, e cila do të ndajë Bregun Perëndimor dhe do ta shkëpusë atë nga Jerusalemi Lindor.
I menjëhershëm ishte reagimi i Turqisë. Ky hap… shpërfill plotësisht të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara; godet integritetin territorial të Shtetit të Palestinës, bazën për një zgjidhje me dy shtete, dhe shpresat për paqe”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë. Në deklaratë përsëritet se krijimi i një shteti të pavarur palestinez është e vetmja mënyrë për të arritur paqe të qëndrueshme.
Edhe Gjermania i bëri thirrje Izraelit të ‘ndalojë ndërtimin e kolonive’ në Bregun Perëndimor, ndërkohë që lëvizjet e Benjamin Netanyhut në Gaza po shihen ndërkohë si një synim i hapur për shpopullimin e territorit, ku sic shkruan Le Monde, koalicioni i tij qeveritar po e përdor krizën e urisë në enklavë si armë për t`i bërë presion palestinezëve që të braktisin tokën e tyre.
Top Channel