
Autoritetet e Kopenhagenit mund të detyrohen të paguajnë miliona euro pasi u zbulua se qyteti kishte ngarkuar në mënyrë të paligjshme mijëra çifte me tarifa për martesë.
Vlerësohet se rreth 12,000 çifte, gjatë një periudhe shtatëvjeçare, janë detyruar të paguajnë shuma që nuk u takonin.
Shumica e këtyre çifteve duket se kanë qenë nga vende të tjera jashtë Danimarkës dhe pa vendbanim të përhershëm në vend.
Një tarifë deri në 4,500 korona daneze (rreth 600 euro) është aplikuar për ceremoni martesore të zhvilluara jashtë orarit zyrtar apo në vende të caktuara në natyrë.
Megjithatë, sipas ligjit danez, bashkitë lejohen të vendosin një tarifë vetëm nëse çifti kërkon të martohet jashtë ambienteve zyrtare të bashkisë.
Si pasojë, Bashkia e Kopenhagenit mund të përballet tani me detyrimin për të rimbursuar deri në 23 milionë korona daneze (mbi 3 milionë euro), sipas raportimit të The Guardian.
Turizmi i dasmave është një burim i rëndësishëm të ardhurash për qytetin. Vetëm vitin e kaluar, rreth 5,000 çifte nga jashtë vendit u martuan në Kopenhagen, duke sjellë përfitime të mëdha për sektorin e mikpritjes — hotele, restorante, fotografë etj.
Top Channel