Trump dhe Putini përpara samitit të Alaskës dhe tensioneve për Ukrainën, a po ndryshon loja?

14/08/2025 07:44

Presidenti amerikan Donald Trump po përgatitet për takimin e parë me Vladimir Putinin më 15 gusht, pas gjashtë vitesh – një samit që pritet të zhvillohet të premten në Alaska, në përpjekje për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

Por përpara këtij takimi, Trump ka treguar frustrim në rritje ndaj homologut të tij rus.

Sipas burimeve nga administrata amerikane dhe burime diplomatike evropiane, Trump ka nisur të pyesë këshilltarët e tij dhe liderët evropianë rreth asaj që ka ndryshuar te Putini, duke sinjalizuar një zhgënjim të dukshëm për qëndrimin e Rusisë ndaj propozimeve për armëpushim. Rusia, përkundrazi, ka intensifikuar ofensivën kundër Ukrainës këtë vit dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë konkrete për të ndalur luftën.

Për komunitetin e inteligjencës amerikane, qëllimet e Putinit mbeten të pandryshuara dhe të rrezikshme. Ai vijon të kërkojë garanci që Ukraina të mos anëtarësohet kurrë në NATO dhe që paqeruajtësit ndërkombëtarë të mos hyjnë në territorin ukrainas. Në analizat e fundit, zyrtarët vlerësojnë se çdo armëpushim i ofruar nga Rusia mund të shërbejë vetëm për rigrupimin e trupave ruse me qëllim sulme të reja në të ardhmen, ndoshta edhe kundër Kievit.

Një burim i njohur me raportet e inteligjencës deklaroi: “Putini mendon se po fiton, ndaj nuk ka arsye të tërhiqet.” Ai kërkon të konsolidojë fitoret që ka arritur me forcë dhe të përgatitet për fazën tjetër të luftës.

Ndryshe nga qëndrimi i tij gjatë mandatit të parë, ku e quante Putinin një mik të mirë dhe shfaqte simpati për stilin e tij autoritar, tani Trump duket se po e trajton me më shumë kujdes liderin rus. Në biseda private, ai ka përdorur një ton më të ashpër ndaj Putinit dhe ka shfaqur shqetësime për qasjen e Kremlinit. Edhe i dërguari i tij special për Rusinë, Steve Witkoff, ka shprehur hapur zhgënjimin me negociatat, duke pretenduar se “rusët po i manipulojnë”.

Trump paralajmëroi këtë javë se nëse e kupton se Putini nuk është serioz për t’i dhënë fund luftës, “do të ketë pasoja të rënda për Rusinë”. Megjithatë, ai nuk sqaroi se çfarë do të përfshijnë këto masa ndëshkuese.

Zelensky dhe Evropa, të shqetësuar për një marrëveshje të njëanshme

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar publikisht se takimi i Trump me Putinin pa praninë e Ukrainës rrezikon të përshkruhet si një fitore për Moskën. Sipas tij, Putin nuk po përgatitet për një armëpushim të sinqertë, por vetëm për të forcuar pozitat e tij.

Edhe zyrtarët evropianë janë të ndarë. Disa shpresojnë se Trump, për shkak të stilit të tij të drejtpërdrejtë, mund të arrijë një marrëveshje efektive. Të tjerë janë thellësisht të shqetësuar se ai mund të nënshkruajë një marrëveshje që favorizon interesat ruse, duke pranuar kontrollin e Kremlinit mbi territore të pushtuara në Ukrainë në këmbim të një ndalimi të përkohshëm të luftimeve.

Një diplomat evropian tha për CNN se “Rusia po ofron të ndalojë luftën vetëm nëse merr gjithçka që ka dashur gjithmonë – kjo nuk është paqe, është dorëzim.”

A është Putin i njëjtë? A është Trump ndryshe?

Një debat i rëndësishëm brenda Shtëpisë së Bardhë lidhet me faktin nëse Putini ka ndryshuar që nga pandemia e COVID-19, kur ai kaloi periudha të gjata në izolim dhe rrethoi veten me njerëz që mbështesnin vijën e tij të ashpër. Shumë analistë besojnë se vetmia gjatë pandemisë e bëri më të mbyllur dhe më paranoid.

Nga ana tjetër, disa zyrtarë mendojnë se ndryshimi i vërtetë ka ndodhur te Trump. “Në fillim të vitit ishte naiv, por tani e ka kuptuar se Putini është një lider i rrezikshëm”, tha një zyrtar amerikan.

Samiti i shumëpritur në Alaska është shndërruar në një moment kyç jo vetëm për luftën në Ukrainë, por edhe për mënyrën se si SHBA-ja e Trumpit do të trajtojë marrëdhëniet me Rusinë në vitet në vijim.

Zelensky ka bërë të qartë se çdo marrëveshje që nuk përfshin Ukrainën është e papranueshme. Ndërkohë, analistët paralajmërojnë se Putini nuk është një lider me të cilin mund të bëhen marrëveshje të thjeshta – ai ka ambicie ideologjike që shkojnë përtej territoreve.

Samiti mund të sjellë një hap drejt paqes – ose mund të thellojë ndarjen mes Perëndimit dhe Ukrainës, nëse perceptohet si një lëshim për Moskën.

Top Channel