Takimi mes Trump dhe Putin në Alaskë, çfarë duhet të dini për bazën ushtarake që do të presë vizitën historike

14/08/2025 11:57

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të takohen të premten në Anchorage për të diskutuar se si t’i japin fund luftës në Ukrainë.

Vendi i takimit të profilit të lartë është Baza e Përbashkët Elmendorf-Richardson, një instalim ushtarak amerikan në skajin verior të qytetit më të populluar të Alaskës.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se baza përmbush kërkesat e sigurisë për të pritur dy udhëheqës botërorë. Dhe, gjatë kulmit të turizmit veror, kishte pak mundësi të tjera për takimin e organizuar me nxitim.

Tre raunde bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës këtë verë, të mbajtura me urdhër të Trump, ende nuk i kanë afruar të dyja palët drejt paqes.

Çfarë është Baza e Përbashkët Elmendorf-Richardson?

Baza më e madhe ushtarake e Alaskës daton që nga Lufta e Ftohtë dhe është një vend kyç i SHBA-së për gatishmërinë ushtarake në Arktik.

Malet e mbuluara me borë, liqenet e akullta dhe akullnajat piktoreske rrethojnë bazën, ku temperaturat shënojnë -12 gradë Celsius në dimër. Megjithatë, udhëheqësit do të përjetojnë temperatura të ngrohta prej rreth 16 gradësh Celsius të premten.

Kur Trump vizitoi bazën gjatë mandatit të tij të parë, në vitin 2019, ai tha se trupat atje “shërbejnë në kufirin e fundit të vendit tonë si vija e parë e mbrojtjes së Amerikës“.

Më shumë se 30.000 njerëz jetojnë në këtë vend, duke përbërë afërsisht 10% të popullsisë së Anchorage. E ndërtuar në vitin 1940, baza ishte një vend kritik i mbrojtjes ajrore dhe pikë qendrore komande për të shmangur kërcënimet nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Në kulmin e saj në vitin 1957, ajo priti 200 avionë luftarakë dhe sisteme të shumta radarësh për kontrollin e trafikut ajror dhe paralajmërimin e hershëm, duke i fituar nofkën “Mbulesa Kryesore për Amerikën e Veriut”. Baza vazhdon të rritet edhe sot për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe ambienteve të trajnimit.

Pse po takohen në Alaska?

SHBA-të blenë Alaskën nga Rusia në vitin 1867, duke i dhënë një jehonë historike takimit. Ajo u bë shtet i SHBA-së në vitin 1959.

Ndihmësi presidencial rus, Yuri Ushakov, theksoi se të dy vendet janë fqinjë, dhe vetëm Ngushtica e Beringut i ndan ato.

Duket mjaft logjike që delegacioni ynë të fluturojë mbi Ngushticën e Beringut dhe që një samit kaq i rëndësishëm dhe i shumëpritur i udhëheqësve të të dy vendeve të mbahet në Alaska“, tha Ushakov.

Herën e fundit që Alaska zuri vend qendror në një ngjarje diplomatike amerikane ishte në mars të vitit 2021, kur ekipi i sapoformuar diplomatik dhe i sigurisë kombëtare i Joe Biden u takua me homologët e tyre kinezë në Anchorage.

Biseda u shndërrua në një debat të ashpër, me kinezët që akuzuan amerikanët për “përbuzje dhe hipokrizi”.

Top Channel